Koncerni “Meta” ndoshta ju thotë diçka, por jini të sinqertë: “ByteDance”? Nuk keni dëgjuar kurrë, apo jo? Kështu mund t’u ndodhë shumë përdoruesve të rrjeteve sociale, megjithatë miliarda njerëz përdorin çdo ditë produktet e tyre: Instagramin dhe Facebook-un e Meta-s, “X”, dikur Twitter, i Elon Musk, apo TikTok-un – dhe ky i fundit vjen, pikërisht, nga ByteDance. Të mëdhenj dhe të fuqishëm janë bërë me kalimin e viteve këta, edhe kompani të tjera teknologjike. Në Evropë po bëhen përpjekje të mëdha për të kufizuar ndikimin e tyre. Ja pyetjet dhe përgjigjet më të rëndësishme.
Përse kritikohen kompani të mëdha teknologjike?
Kompani të mëdha si Meta apo ByteDance kanë jo vetëm fuqi të madhe në treg – deri në tre miliardë përdorues të Instagramit dhe pothuajse dy miliardë të TikTok-ut flasin vetë. Ndikimi i tyre shkon përtej dominimit të tregut, sepse algoritmet e platformave ndikojnë se cilat informacione na arrijnë dhe, deri diku, si e perceptojmë botën përmes filtrit të rrjeteve sociale.Kritikët thonë se platformat nuk luftojnë mjaftueshëm kundër lajmeve të rreme, nxisin polarizimin, favorizojnë përmbajtjet ekstreme në algoritmet e tyre dhe nuk i kushtojnë vëmendje të mjaftueshme mbrojtjes së të dhënave – si për shembull te reklamat e personalizuara apo në trajnimin e inteligjencës artificiale të tyre.
Në Evropë, disa vende po debatojnë për ndalimin e rrjeteve sociale për të rinjtë; Australia tashmë e ka vendosur një ndalim të tillë.Ka vite që ekziston një përplasje mes BE-së dhe themeluesit të Meta-s, Mark Zuckerberg, për mënyrën e moderimit të përmbajtjes. Nga “Twitter”, sidomos pas shitjes te Elon Musk dhe riemërtimit në “X”, janë larguar shumë përdorues dhe reklamues. TikTok-ut kinez i atribuohet afërsi me shtetin dhe Partinë Komuniste të Kinës, duke ngritur shqetësime për censurë. Gjithashtu, autoritetet evropiane të sigurisë paralajmërojnë se TikTok/ByteDance ruan të dhëna në shkallë të paqartë, dhe mbetet e paqartë nëse dhe si mund t’i përdorë Kina këto të dhëna.
Cilat alternativa evropiane ekzistojnë?
Ka tashmë alternativa evropiane për Instagramin, X dhe TikTok-un: “Mastodon” nga Gjermania është ndër më të njohurat. Franca ofron “PeerTube”, një alternativë ndaj YouTube të Alphabet (Google). Aplikacioni francez “BeReal” pati një popullaritet të shkurtër në vitin 2022, duke i kufizuar përdoruesit të postojnë vetëm një foto në ditë pa modifikim – për të reduktuar varësinë. Rrjeti holandez “Eurosky” synon ruajtjen e të dhënave në mënyrë të decentralizuar dhe në përputhje me GDPR.
Një alternativë më e re është “W Social” nga Suedia, e lançuar më 9 maj 2026, i cili prezantohet si një rrjet i drejtuar sipas ligjit të BE-së, me të dhëna të ruajtura në Evropë dhe me përdorues të verifikuar realë.
Shumë politikanë evropianë i përshëndesin këto alternativa, pasi synohet sovraniteti digjital. Henna Virkkunen, zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, është aktive në Mastodon që nga qershori 2025. Edhe partia e Gjelbër në Bundestagun gjerman ka propozuar që institucionet publike të përdorin vetëm produkte që nuk janë nën kontrollin e qeverive jo-evropiane.
Çfarë bëjnë ndryshe platformat evropiane?
Shembulli i Mastodon-it tregon ndryshimet: ai funksionon në mënyrë të decentralizuar, ku të dhënat ruhen në servera të ndryshëm, jo në një të vetëm. Ai përdor protokollin “ActivityPub” dhe është pjesë e “Fediversit”, një rrjet platformash të pavarura, kryesisht evropiane. Platformat janë të bazuara në software me burim të hapur, çka i bën më të lira dhe më transparente. Algoritmet shmangin rekomandimet e pafundme dhe favorizimin e përmbajtjeve ekstreme, duke ndihmuar në mbrojtjen e të rinjve dhe parandalimin e varësisë.
Cilat janë disavantazhet?
Avantazhi kryesor i rrjeteve sociale është numri i madh i përdoruesve, që siguron shtrirje dhe dukshmëri. Këtu qëndron edhe dobësia e alternativave evropiane: ato janë ende shumë të vogla për të pasur ndikim global. Përdorimi i tyre shpesh shihet si më i ndërlikuar. Sipas Jochim Selzer nga “Chaos Computer Club”, kërkohet bindje që përdoruesit të shkëputen nga mënyra si janë ambientuar me rrjetet e mëdha sociale dhe të pranojnë faqosjet e ndryshme të këtyre platformave të reja.
Mastodon ka rreth 10 milionë llogari dhe vetëm rreth 1 milion përdorues aktivë mujorë. Platforma PeerTube ka rreth 1 milion video. Edhe kështu ato konsiderohen ndër “të mëdhatë” evropiane. Megjithatë, për momentin nuk duket se alternativat evropiane mund të konkurrojnë seriozisht me gjigantët amerikanë apo kinezë.
Marrë nga Deutsche Welle