Ndërsa bota po vrapon drejt një të ardhmeje të dominuar nga inteligjenca artificiale, CEO i Google DeepMind, Demis Hassabis, ka një mesazh të qartë për të rinjtë: Mësoni tani, përndryshe do mbeteni prapa.
Hassabis drejton laboratorin më të avancuar të kërkimit të Google për inteligjencën artificiale, DeepMind, që qëndron pas zhvillimeve më të fuqishme të kompanisë në këtë fushë, përfshirë edhe chatbot-in “Gemini”. Po ky laborator po udhëheq përpjekjet e Google për të arritur inteligjencën artificiale të përgjithshme (AGI) – një formë ende e paarritur e inteligjencës artificiale që synon të arrijë aftësitë e të menduarit të njeriut.
Gjatë konferencës vjetore Google I/O, Hassabis deklaroi se DeepMind mund të jetë më pak se një dekadë larg ndërtimit të një sistemi AGI. Duke punuar në një ambient të tillë, ai është një nga njerëzit që ka një vizion të qartë se cili do të jetë roli i Inteligjencës Aritificiale në të ardhmen e afërt.
Në podcast-in e njohur teknologjik “Hard Fork”, ai u bëri thirrje adoleshentëve të futen me guxim në botën e inteligjencës artificiale, duke e përshkruar si forca përcaktuese e brezit të tyre.
“Ashtu si interneti ndikoi tek mijëvjeçarët dhe telefonat inteligjentë përcaktuan Gen Z, inteligjenca artificiale gjenerative do të jetë vula e Gen Alpha,” tha ai. “Në 5-10 vitet e ardhshme, do të shohim ndryshime të mëdha. Disa profesione do të zëvendësohen, por do të krijohen vende të reja pune, më interesante dhe më me vlerë.”
Mëso sot, për të qenë gati nesër
Në podcast, ai theksoi rëndësinë që të rinjtë të njohin sa më shpejt mjetet dhe konceptet bazë të AI.
“Çfarëdo që ndodh me këto teknologji, do të jeni në avantazh nëse kuptoni si funksionojnë dhe çfarë mund të bëni me to,” tha ai. Madje, u sugjeroi studentëve të bëhen “ninxha” të teknologjisë më të re, duke përvetësuar një mentalitet të ri ndaj të mësuarit: “Të dish si të mësosh është çelësi.”
Këshilla e tij përputhet me prirjet e reja në sistemin arsimor, ku gjithnjë e më shumë po nxisin aftësitë digjitale.
Jo vetëm teknologji, por edhe mendësi
Hassabis theksoi se vetëm njohja e teknologjisë nuk mjafton. Ai vuri në dukje rëndësinë e një baze solide në fushat STEM (shkencë, teknologji, inxhinieri dhe matematikë), sidomos programimi, por theksoi gjithashtu vlerën e “meta-aftësive” si krijimtaria, përshtatshmëria dhe qëndrueshmëria.
“Këto janë aftësitë që do t’i ndihmojnë brezat e rinj të lulëzojnë,” shpjegoi ai. “Të zotërosh bazat e STEM është jetike, por po aq e rëndësishme është të zhvillosh një mendësi që përballon ndryshimin e vazhdueshëm.”
Që nga lançimi i ChatGPT nga OpenAI në vitin 2022, peizazhi i inteligjencës artificiale ka ndryshuar me shpejtësi, duke krijuar një valë entuziazmi por edhe ankthi për të ardhmen e punës.
“Mësoni si të mësoni” – Këshilla për studentët
Në fillim të këtij muaji, Hassabis përsëriti këshillën e tij edhe për studentët universitarë, duke i ftuar të shfrytëzojnë kohën për të kuptuar veten dhe mënyrën si mësojnë.
“Është e rëndësishme të përdorni vitet e universitetit për të kuptuar më mirë veten dhe për të mësuar si të mësoni,” tha ai.
Ndërkohë që shumë aftësi të vështira (hard skills) tashmë po kryhen më shpejt nga makinat, ai sugjeron që studentët të fokusohen në fleksibilitetin mendor dhe aftësinë për të menduar në mënyrë të pavarur – vlera që AI nuk i zëvendëson lehtë.
Për të përballuar ritmin e shpejtë të zhvillimeve teknologjike, Hassabis i nxit të rinjtë të jenë proaktivë dhe kuriozë: “Mësoni bazat përmes edukimit formal, por në kohën e lirë eksperimentoni me teknologjitë e reja që të jeni të përgatitur kur të dilni në treg.”
Mesazhi i tij është i qartë: Inteligjenca artificiale nuk është vetëm e ardhmja – është e tashmja. Dhe ata që e përqafojnë sot, do të jenë liderët e nesërm.
Marrë nga Daily Mail