Një tërmet i fuqishëm me magnitudë 7.8 të shkallës Rihter ka goditur mëngjesin e sotëm jugun e Filipineve, duke shkaktuar viktima, shembje ndërtesash dhe alarm për cunami në disa vende të rajonit të Paqësorit. Siç raportojnë mediat e huaja, të paktën tetë persona kanë humbur jetën dhe katër të tjerë janë plagosur nga lëkundjet e forta sizmike që goditën zonën detare pranë brigjeve jugore të ishullit Mindanao.
Autoritetet kanë paralajmëruar se bilanci i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vijojnë operacionet e kërkim-shpëtimit. Sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara (USGS), tërmeti u regjistrua me magnitudë 7.8 ballë në një thellësi prej rreth 35 kilometrash. Fillimisht, magnituda ishte vlerësuar në 8.1 ballë, por më pas u rishikua nga ekspertët sizmologë.
Epiqendra ndodhej rreth 56 kilometra në jug të qytetit General Santos, në rajonin Mindanao, ku lëkundjet u ndjenë fuqishëm në një zonë të gjerë të arkipelagut filipinas. Pas tërmetit, Qendra e Paralajmërimit për Cunami në Paqësor (PTWC) lëshoi menjëherë alarm për cunami, duke paralajmëruar se valë të mëdha mund të godasin brigjet e Filipineve, Indonezisë, Tajvanit dhe Japonisë brenda pak orësh.
Pamje të publikuara në rrjetet sociale tregojnë momente paniku dhe ndërtesa që shemben si pasojë e dridhjeve të fuqishme, ndërsa mijëra banorë janë larguar drejt zonave më të sigurta. Filipinet ndodhen në të ashtuquajturën “Unaza e Zjarrit” të Paqësorit, një nga zonat më aktive sizmike dhe vullkanike në botë, ku tërmetet e forta dhe aktiviteti vullkanik janë dukuri të shpeshta.
Marrë nga Reuters