Një nga qytetet më të mëdha të Shteteve të Bashkuara po provon një mënyrë të pazakontë për të luftuar mungesat masive në shkolla: t’u japë nxënësve para që të shkojnë në mësim.
Në Detroit, qytetin më të madh të shtetit të Michiganit, shkollat publike kanë vendosur të ofrojnë deri në një mijë dollarë për nxënësit e shkollave të mesme që ndjekin rregullisht mësimin. Programi synon të përballet me një problem që vitet e fundit ka marrë përmasa alarmante: mungesat kronike të nxënësve.
Nxënësit e shkollave të mesme mund të marrin nga 100 dollarë në javë për një periudhë deri në dhjetë javë, pra një total prej një mijë dollarësh. Paratë transferohen në një kartë Visa dhe jepen vetëm në bazë të frekuentimit të rregullt të orëve të mësimit.
Për nxënësit e ciklit të ulët, shpërblimi është më i vogël, rreth 50 dollarë në javë. Programi, i quajtur “Perfect Attendance Pays”, ose “Frekuentimi i përsosur shpërblehet”, kishte nisur që në janar të vitit 2025, por së fundmi është zgjeruar edhe në shkollat e mesme të ulëta.
Mësuesit regjistrojnë praninë e nxënësve në një sistem digjital dhe, mbi bazën e këtyre të dhënave, përcaktohet edhe pagesa që përfiton secili prej tyre.
Sipas mediave amerikane, programi nuk financohet nga fondet federale apo shtetërore të arsimit. Paratë vijnë nga interesat e krijuara nga fondet e distriktit shkollor, të cilat ndodhen përkohësisht në pritje për t’u përdorur në projekte të lidhura me ndërtesat dhe infrastrukturën shkollore.
Megjithatë, nisma ka shkaktuar debat të fortë. Për kritikët, ideja e pagesës së nxënësve për të bërë atë që normalisht duhet të jetë detyrimi i tyre bazë, është një shenjë shqetësuese e një krize më të thellë kulturore.
Sipas tyre, nxënësit po shpërblehen thjesht për përmbushjen e minimumit, ndërsa vlera si përgjegjësia, këmbëngulja dhe angazhimi rrezikojnë të zëvendësohen nga një sistem shpërblimi financiar.
Por shifrat tregojnë se problemi në Detroit është shumë më serioz sesa thjesht mungesa e vullnetit të nxënësve për të shkuar në shkollë. Gjatë vitit shkollor 2024-2025, rreth 60.9 për qind e nxënësve në distrikt rezultonin me mungesa kronike, pra kishin humbur të paktën 10 për qind të ditëve të mësimit.
Një situatë e tillë, nuk mund të shpjegohet vetëm duke fajësuar nxënësit apo prindërit e tyre. Në rrënjë të fenomenit qëndrojnë probleme të thella sociale dhe ekonomike.
Një pjesë e madhe e nxënësve të shkollave publike të Detroitit vijnë nga familje me të ardhura të ulëta. Qyteti vuan prej dekadash pasojat e deindustrializimit, largimit të popullsisë drejt periferive dhe tkurrjes së bazës ekonomike që dikur e kishte bërë Detroitin një nga qendrat industriale më të fuqishme të Amerikës.
Që nga vitet 1950-1960, qyteti humbi gradualisht një pjesë të madhe të popullsisë së tij, fillimisht banorë të bardhë dhe më vonë edhe një pjesë të klasës së mesme afro-amerikane.
Ky proces dobësoi të ardhurat fiskale dhe përqendroi varfërinë në zonat qendrore të qytetit. Një tjetër problem i madh është transporti publik. Detroit nuk ka një sistem efikas transporti që t’u mundësojë familjeve me të ardhura të kufizuara të lëvizin lehtësisht nëpër qytet.
Në vitin 1956, rrjeti historik i tramvajit u çmontua gradualisht në favor të autostradave dhe transportit automobilistik, një zgjedhje që lidhej edhe me peshën e jashtëzakonshme të industrisë së makinave në qytet.
Sot, kjo mungesë e një transporti publik të besueshëm prek drejtpërdrejt shumë nxënës dhe prindër që nuk kanë mundësi të blejnë apo të përdorin një automjet privat.
Në këtë këndvështrim, pagesa prej disa qindra dollarësh për nxënësit nuk është thjesht një përpjekje për t’i bindur ata të shkojnë në shkollë.
Ajo është një simptomë e një problemi shumë më të madh: një sistemi arsimor që po përpiqet të zgjidhë me stimuj financiarë pasojat e varfërisë, izolimit urban dhe mungesës së shërbimeve publike.
Detroiti po paguan nxënësit që të hyjnë në klasë. Por pyetja që mbetet është nëse një kartë me 100 dollarë në javë mund të zgjidhë problemet që kanë mbajtur për dekada të tëra mijëra fëmijë larg shkollës.
Marrë nga CNBS News