Parlamenti Evropian ia ka referuar marrëveshjen tregtare me vendet e Mercosur të Amerikës së JugutGjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Kundërshtarët e marrëveshjes fituan në një votim në Strasburg, me një shumicë të ngushtë prej 334 votash kundër 324 dhe njëmbëdhjetë abstenime.
Votimi u konsiderua si një provë për ratifikimin e nevojshëm të traktatit në Parlamentin Evropian. Prandaj, vendimi përfundimtar është gjithashtu në rrezik. Sidoqoftë, ratifikimi është pezulluar për shkak të apelit në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë – anëtarët e parlamentit duhet të presin vlerësimin e gjyqtarëve, i cili mund të zgjasë me muaj. Teorikisht, megjithatë, marrëveshja mund të zbatohet më shpejt, pasi Komisioni Evropian është i autorizuar të urdhërojë zbatimin e përkohshëm.
“Një sinjal shkatërrues”
Në reagimin e tij fillestar, kancelari i Gjermanisë Friedrich Merz u shpreh për një zbatim të përkohshëm të marrveshjes. Ai e quajti votimin e anëtarëve të parlamentit “për të të ardhur keq”, duke thënë se deputetët nuk kanë arritur ta kuptojnë situatën gjeopolitike. Shoqatat e biznesit gjithashtu shprehën kritika. Presidenti i Dhomës Gjermane të Industrisë dhe Tregtisë, Peter Adrian, e përshkroi vendimin e parlamentit si një “goditje shkatërruese”. Presidentja e Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilëve, Hildegard Müller, foli për një “sinjal shkatërrues”. Ajo deklaroi se BE-ja nuk duhet të sabotojë objektivat e veta tregtare dhe të “rrezikojë në mënyrë të pamatur” besueshmërinë e saj si partnere.
Presidentja e Komisionit Ursula von der Leyen nënshkroi marrëveshjen tregtare me Brazilin, Argjentinën, Paraguain dhe Uruguain të shtunën e kaluar. Shumica e 27 shteteve anëtare të BE-së kishin dhënë më parë miratimin e tyre – pavarësisht rezistencës së Francës, ku marrëveshja kundërshtohet gjerësisht. Mocioni parlamentar për ta çuar çështjen në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë e kishte origjinën gjithashtu nga anëtarët francezë të parlamentit.
Rënie e barrierave tregtare
Marrëveshja e Mercosur, e cila u negociua për një çerek shekulli, synon të krijojë një nga zonat më të mëdha të tregtisë së lirë në botë. Ulja e barrierave dhe tarifave tregtare synon të nxisë shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve. Ndërsa evropianët eksportojnë makina dhe produkte kimike, ndër të tjera, përtej Atlantikut, vendet e Mercosur eksportojnë kryesisht produkte bujqësore dhe lëndë të para në Evropë.
Bizneset gjermane shpresojnë që marrëveshja do të çojë në rritje të ndjeshme të eksporteve. Megjithatë, kritikët kanë frikë se standardet e BE-së për mbrojtjen e konsumatorit, mjedisin dhe mirëqenien e kafshëve do të minohen. Fermerët në disa vende të BE-së janë gjithashtu të shqetësuar se mishi i viçit i Amerikës së Jugut, për shembull, do të hidhet në tregjet vendase.
Ankimuesit në Parlamentin Europian, të cilët tani duan të dëgjojnë pikëpamjen e GJED-së, kundërshtojnë gjithashtu ndarjen e traktatit në një pjesë politike, e cila duhet të ratifikohet në shtetet anëtare të BE-së, dhe një pjesë tregtare, e cila kërkon vetëm miratimin e Parlamentit Europian. Ata argumentojnë se kjo anashkalon parlamentet kombëtare.
Përveç së Majtës dhe të Gjelbërve, eurodeputetët nga PPE Kristian Demokrate, Renew Europe liberale dhe S&D socialdemokrate mbështetën mocionin. Pozicioni themelor i grupeve PPE dhe S&D ishte kundërshtimi i kërkesës për rishikim. Kundështarët – të cilët nuk janë aq të rrallë në Parlamentin Evropian sa janë në Bundestagun gjerman – vijnë kryesisht nga Franca dhe Polonia.
Mercosur nuk është marrëveshja e parë tregtare që përfundon para Gjykatës Evropiane të Drejtësisë (GJED). Gjykata më e lartë e BE-së, me seli në Luksemburg, ka shprehur gjithashtu opinione mbi një marrëveshje me Singaporin dhe marrëveshjen CETA me Kanadanë. Këto procedura kanë zgjatur midis 16 dhe 26 muaj, varësisht nga rasti. Përveç Parlamentit Evropian, Komisioni, Këshilli ose shtetet anëtare të BE-së mund të kërkojnë një rishikim. Nëse GJED konstaton se një traktat është i papajtueshëm me ligjin e BE-së, ai nuk mund të hyjë në fuqi derisa të jenë bërë ndryshimet.
Marrë nga AFP