“Kjo është nata në të cilën Zoti u thotë të gjithëve: Ka shpresë edhe për ju!
Kjo ishte deklrata e Papa Françeskut, i cili ka nisur Vitin e Shenjtë 2025 me hapjen e Derës së Shenjtë në Bazilikën e Shën Pjetrit, një ngjarje që pritet të tërheqë mbi 30 milionë pelegrinë në kryeqytetin italian, Romë.
Që nga viti i parë i shenjtë në vitin 1300, kalimi nëpër Derën e Shenjtë ose njërën nga tre dyert në Bazilikat e tjera Papale i ka lejuar pelegrinët të marrin indulgjenca, që do të thotë ‘falja e mëkateve’.
Ai u shpreh se të gjithë duhet të ndjejnë dhuratën dhe angazhimin për të sjellë shpresën atje ku ka humbur. Sipas tij, Krishtlindja duhet të shërbejë për të sjellë shpresë atje ku jeta është e plagosur, në ëndrrat e thyera, në ditët e gjata e boshe të të burgosurve, në dhomat e ngushta e të ftohta të të varfërve, në vendet e përdhosura nga lufta dhe dhuna.
Ati i Shenjtë kërkon të heqim dorë nga gjërat e gabuara dhe të kemi guximin t’i ndryshojmë ato. Papa u shpreh se ne duhet të mësojmë nga barinjtë, të cilët në historinë ungjillore të Krishtlindjes, “shkuan pa vonesë” pas thirrjes së engjëllit: “Ky është treguesi për të rizbuluar shpresën e humbur, për ta ripërtërirë atë brenda nesh, për ta mbjellë atë në shkretimet e kohës sonë“.
“Shpresa që lind këtë natë nuk toleron përtacinë e sedentarëve dhe dembelizmin e atyre që janë vendosur në komoditetet e tyre. Është e papajtueshme me jetën e qetë të atyre që nuk e ngrenë zërin kundër të keqes dhe padrejtësive të kryera ndaj më të varfërve… Kjo është nata në të cilën dera e shpresës u hap gjerësisht në botë; kjo është nata në të cilën Zoti u thotë të gjithëve: ka shpresë edhe për ju! Nata e Krishtlindjes pafundësisht e madhe u bë e vogël; drita hyjnore ka ndriçuar në mes të errësirës së botës; lavdia e qiellit u shfaq në tokë, në vogëlsinë e një fëmije. Kështu, nëse vjen Zoti, edhe kur zemra jonë i ngjan një grazhdi të varfër, atëherë mund të themi: shpresa nuk ka vdekur, shpresa është e gjallë dhe e mbështjell jetën tonë përgjithmonë. Jubileu u hap që të gjithëve t’u jepet shpresa e Ungjillit, shpresa e dashurisë, shpresa e faljes“, tha ai.
Marrë nga Pamfleti.net