Kaos në futbollin brazilian. Presidenti i vendit të pesë herë kampionëve të botës, Lula da Silva, ka kërkuar publikisht, që në radhët e “Seleçaos” të mos ketë lojtarë që luajnë jashtë Brazilit, pasi sipas tij, asnjë prej tyre nuk është një yll i kalibrit botëror.
“Nuk ka asnjë yll”,- tha ai duke folur në një intervistë radiofonike, edhe pse në radhët e kësaj kombëtareje ka lojtarë si Vinicius, Rodrigo, Rafinha, Alison apo Ederson sa për të përmendur disa, të cilët shkëlqejnë me klubet e tyre në Europë.
“Ata që janë jashtë, nuk janë më të mirë se këta që janë këtu. Nuk ka asnjë Garrinça, apo Romario. Vetëm një numër i madh të rinjsh që nuk janë ende yje. Në Brazil ka lojtarë të mirë dhe të të njëjtës cilësi, ndaj më mirë t’i japin mundësinë atyre që janë këtu”,- tha presidenti Lula, duke deklaruar se këtë kërkesë ia kishte bërë edhe presidentit të Federatës Braziliane të Futbollit.