Presidenti Donald Trump ka kërkuar nga administrata e tij qw të hetojnë nëse fondet federale mund të tërhiqen nga qyteti i Portlandit, Oregon, pas protestave të dhunshme të organizatës Antifa, sipas zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.
Influencuesi konservator, Nick Sortor, u arrestua për akuza të sjelljes së çrregullt të shkallës së dytë, ndërsa protesta të dhunshme shpërthyen pranë një qendre të Imigracionit dhe Doganave (ICE), duke shkaktuar reagime nga Leavitt dhe një hetim nga Departamenti i Drejtësisë.
‘Kjo ngjarje është pjesë e një prirjeje shqetësuese në Portland, ku turma të majta mendojnë se mund të vendosin vetë kush mund të vizitojë dhe të jetojë në qytetin e tyre. Nuk është qyteti i tyre, është qyteti i popullit amerikan, dhe Presidenti Trump do të rivendosë rendin,’ tha Leavitt para gazetarëve në një konferencë për shtyp të premten pasdite.
‘Sapo fola me Presidentin për këtë çështje, dhe ai ka urdhëruar ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë të nisë shqyrtimin e ndihmave që mund të ndërpriten për Portlandin. Ne nuk do të financojmë shtete që lejojnë anarshi,’ shtoi ajo. ‘Do të ketë gjithashtu një përforcim të menjëhershëm të burimeve federale në Portland, përfshirë forcat e CBP dhe ICE. Ligji dhe rendi do të mbizotërojnë, dhe Presidenti Trump do të sigurohet për këtë.’
Presidenti tashmë ka urdhëruar dislokimin e 200 trupave të Gardës Kombëtare të Oregonit në Portland për të shtypur protestat e fundit, ndonëse një gjykatës federal është duke shqyrtuar ligjshmërinë e këtij vendimi.
Kjo ndërhyrje në Portland vjen ndërkohë që administrata Trump po përpiqet të bllokojë fondet për qytete dhe shtete të drejtuara nga demokratët, në ditën e tretë të mbylljes së qeverisë federale.
Drejtori i Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit, Russ Vought, ka pezulluar 2.1 miliardë dollarë të planifikuara për zgjerimin e linjës së kuqe dhe modernizimin e projekteve të linjës së kuqe dhe vjollcë në Çikago.
‘Kjo është për shkak se administrata është e shqetësuar se administrata Biden ka shpërndarë para të taksapaguesve për ndërtim bazuar në parime të DEI-së (Diversitet, Barazi dhe Përfshirje),’ shpjegoi Leavitt. ‘Departamenti i Transportit është duke shqyrtuar kontratat bazuar në racë në bazë të kushtetutshmërisë, dhe ndërkohë fondet janë pezulluar.’
Vought gjithashtu zbuloi të mërkurën se qeveria ka pezulluar 18 miliardë dollarë për projekte infrastrukturore madhore në Nju Jork për arsye të ngjashme, si dhe ka pezulluar ose anuluar 8 miliardë të tjera për projekte të quajtura ‘Mashtrimi i Ri i Gjelbër’ në 16 shtete të drejtuara nga demokratët.
Trump dhe Vought u takuan të enjten për të diskutuar se cilat agjenci mund të përballen me shkurtime të mëtejshme gjatë mbylljes së qeverisë. Leavitt u tha gazetarëve se ‘diskutimet vazhdojnë mes Zyrës së Menaxhimit dhe Buxhetit dhe agjencive të kabinetit, dhe ato janë duke identifikuar në mënyrë aktive se ku do të bëhen këto shkurtime dhe pushime nga puna, nëse mbyllja e qeverisë nuk mbaron së shpejti.’
Washington Examiner ka kontaktuar qytetin e Portlandit për koment, por që nuk erdhi deri në momentin e artikullit.
Marrë nga Associated Press