Një gjykatës federal i Kalifornisë bllokoi përkohësisht të enjten administratën Trump që të urdhërojë Departamentit të Mbrojtjes dhe agjenci të tjera federale për të kryer shkarkime masive të mijëra personave të punësuar së fundmi.
Presidenti republikan Donald Trump dhe miliarderi Elon Musk, i cili mbikëqyr të ashtuquajturin Departamenti i Efikasitetit të Qeverisë, po drejtojnë një përpjekje të paprecedentë për tkurrjen e qverisë federale, duke përfshirë shkurtimet e vendeve të punës.
Gjykatësi tha se ai nuk mund të urdhërojë Departamentin e Mbrojtjes, i cili pritet të pushojë 5,400 punonjës që janë në periudhë provë të premten, si dhe agjenci të tjera që të mos pushojnë punonjës, sepse ata nuk janë të pandehur në padinë e ngritur nga disa sindikata dhe grupe jofitimprurëse.
Por ai sugjeroi se shkarkimet masive të punonjësve federalë që filluan dy javë më parë do të shkaktonin një dëm të gjerë, përfshirë shkurtime në parqet kombëtare, kërkime shkencore dhe shërbimet për veteranët.
“Punonjësit në provë janë gjaku i qeverisë sonë. Ata hyjnë në një nivel të ulët dhe bëjnë përpara. Kështu rinovojmë vetveten“, tha zoti Alsup, i emëruar nga ish-presidenti demokrat Bill Clinton.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti Amerikan i Drejtësisë nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave për koment.
Paditësit përfshijnë sindikatat më të mëdha të punonjësve federalë, katër sindikata të tjera si dhe organizata jofitimprurëse, misionet e të cilave përfshijnë mbrojtjen e shërbimeve për veteranët dhe ruajtjen e parqeve kombëtare.
Presidenti i një prej sindikave Everett Kelley tha në një deklaratë se vendimi i gjykatësit Alsup ishte një fitore e rëndësishme e parë, për punonjësit federalë.
“Këta janë punonjës të rangut të lartë që iu bashkuan qeverisë federale për të bërë një ndryshim në komunitetet e tyre, por papritmas u pushuan për shkak të përbuzjes së kësaj administrate për punonjësit federalë dhe dëshirës për të privatizuar punën e tyre“, tha ai.
Marrë nga Associated Press