Një kundërpërgjigje nga qeveria e Kosovës ka ardhur lidhur me veprimet e fundit të Serbisë në tre pika kufitare, ku ka ndaluar qarkullimin e qytetarëve shqiptarë.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla thotë se grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit serb kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Ai thotë se e gjithë kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, dhe sipas tij, kjo e bën edhe Serbinë bashkëfajtore. Sveçla shprehet se deri në stabilizmin e situatës në kufi, pika kufitare në Bërnjak do të mbyllet për qarkullim.
POSTIMI I SVEÇLËS:
Pas paralajmërimit të grupeve ekstremiste serbe për protesta sot pas orës 18:00, janë vërejtur grupe ekstremistësh të maskuar të cilët në prani të policisë së Serbisë, brenda territorit të Serbisë, kanë ndaluar veturat dhe legjitimuar udhëtarët.
Para pak çastesh, një familjes e cila po udhëtonte për në Gjermani, i është pamundësuar vazhdimi i udhëtimit dhe është kthyer prapa me forcë.
Kjo po ndodhë para syve të policisë së Serbisë, fakt ky që e bën atë bashkë fajtore. Këto akte fashiste ku serbët lejohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë kurse shqiptarët pengohen pavarësisht dokumentacioneve që posedojnë, janë absolutisht të papranueshme për ne.
Prandaj, deri në stabilizimin e qarkullimit normal, të pa pengueshëm dhe të sigurtë për të gjithë udhëtarët, pika kufitare në Bërnjak mbyllet për qarkullim.