8.2 miliardë euro është shifra e planifikuar për buxhetin e vitit 2025 për shtetin e Shqiperisë. ABC News ka siguruar buxhetin për vitin i ardhshëm, i cili referuar shifrave pritet të ketë një rritje prej 510 milionë në krahasim me vitin 2024, duke u konsideruar kështu ndër buxhetet më të mëdhenj
Gjithashtu edhe borxhi publik bruto do vijojë trajektoren rënëse në përputhje me rregullin respektiv fiskal.
Në vitin 2024 parashikohet që borxhi publik bruto të bjerë në rreth 56.3 për qind të PBB-së dhe pritet të vijojë të bjerë më tej në rreth 55.8 për qind në vitin 2025.
Sipas skenarit bazë, borxhi publik bruto pritet të bjerë në rreth 55.0 për qind në vitin 2026 dhe më tej në rreth 48.5 për qind në vitin 2031. Në projektbuxhetin e vitit 2025, programimi i të ardhurave buxhetore bazohet në përmirësimin e administrimit fiskal dhe minimizimin e informalitetit ne ekonomi.
Shpenzimet Buxhetore për vitin 2025 programohen në masën 822.7 miliardë lekë ose rreth 31.4% e PBB-së duke rezultuar rreth 51.4 miliardë lekë më shumë se plani i rishikuar i vitit 2024.
Do të vijohet me financimin e një vëllimi të konsiderueshëm investimesh publike prej mesatarisht 6.1% të PBB përgjatë 2025-2027 të cilat përqendrohen në financimin e projekteve me rëndësi strategjike dhe të lidhura me planin e rritjes së BE-së.
Shpenzimet e planifikuara për këtë periudhë mbështeten në Strategjinë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim 2021-2030 duke i kushtuar një vëmendje të veçantë dixhitalizimit, transportit, sigurisë kombëtare, shëndetësisë, arsimit dhe të bujqësisë e zhvillimit rural.
Marrë nga ABC News