Banka e Shqipërisë vëren se çmimet e karburanteve në vend nuk po reflektojnë ecuri të njëjtë me tregjet e Bashkimit Europian.
Në fakt, çmimet e karburantit në pikat e shitjes me pakicë në Shqipëri janë praktikisht të ngrira qysh prej vitit të kaluar. Tregu nuk po reflekton më as lëvizjet afatshkurtra të çmimit të naftës dhe as luhatjet e kursit të këmbimit.
Aktualisht, çmimi i naftës bruto në tregjet ndërkombëtare është pranë nivelit të 66 USD për fuçi, në rënie me më shumë se 18% krahasuar me një vit më parë.
Çmimi i naftës dhe nënprodukteve në tregjet ndërkombëtare kuotohet zakonisht në Dollarë Amerikanë. Aktualisht, monedha amerikane tregtohet pranë nivelit të 83 lekëve, në rënie me më shumë se 8% krahasuar me një vit më parë.
Në përgjigje të kësaj situate, qeveria krijoi një Bord për kontrollin e çmimeve, që veproi deri në stabilizimin e çmimeve të naftës në tregjet ndërkombëtare.
Por, edhe pas shfuqizimit të Bordit, në treg nuk duket të ketë më shenja të një funksionimi normal të konkurrencës. Ndryshimet e çmimeve janë shumë të rralla. Edhe në rastet kur çmimet ndryshojnë, kjo ndodh pothuajse në mënyrë të njëkohshme në të gjitha pikat e shitjes me pakicë.
Ky treg ka një shkallë të lartë përqendrimi në rrjedhën e sipërme, të importit dhe tregtimit me shumicë.
Tregu i karburanteve ka qenë disa herë objekt i hetimeve të Autoritetit të Konkurrencës, por ky institucion nuk ka gjykuar se në këtë treg janë provuar shkelje të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”. Hetimi i fundit paraprak në këtë treg u mbyll në fund të vitit 2022.
Marrë nga Monitor