Danimarka do të hapë nga 1 janari 2027 një skemë të re punësimi për shtetasit e 16 vendeve jashtë Bashkimit Evropian, mes tyre Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
Programi, i quajtur “Skema e biznesit e bazuar në marrëveshjet kolektive”, synon t’u mundësojë kompanive daneze të plotësojnë nevojat për fuqi punëtore përmes rekrutimit nga vende të caktuara jashtë BE-së.
Në listën e vendeve përfshihen Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi, Moldavia, Ukraina, India, Kina, Japonia, Australia, Brazili, Kanadaja, Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Malajzia dhe Singapori.
Për kompanitë daneze, skema do të shoqërohet me një sërë kriteresh. Punëdhënësi duhet të ketë të paktën dy vite aktivitet dhe minimumi 10 punonjës të përhershëm me kohë të plotë në Danimarkë. Kompania duhet gjithashtu të ketë marrëveshje kolektive dhe të përmbushë kërkesat e autoriteteve daneze.
Një tjetër kusht lidhet me respektimin e legjislacionit të punës. Kompanitë që kanë pasur shkelje të rënda, gjoba të fundit ose probleme me pagesat dhe kushtet e punëtorëve të huaj mund të përjashtohen nga skema.
Punëtorët e rekrutuar përmes këtij programi do të duhet të kenë një pagë minimale vjetore prej 322 mijë koronash daneze, ekuivalente me rreth 43 mijë euro.
Pragu është dukshëm më i ulët se ai i skemës ekzistuese daneze, ku për vitin 2026 kërkohet një pagë vjetore prej rreth 552 mijë koronash, ose afërsisht 70 mijë euro.
Lejet e punës dhe qëndrimit do të shqyrtohen nga Agjencia Daneze për Rekrutim Ndërkombëtar dhe Integrim. Certifikata për kompaninë do të jetë fillimisht e vlefshme për tre vjet dhe më pas mund të zgjatet deri në katër vjet.
Për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përfshirja në këtë listë krijon një kanal të ri për punësim të ligjshëm në tregun danez, ndërsa Kopenhaga synon të sigurojë punonjësit që i nevojiten ekonomisë pa ulur standardet e pagave dhe të kushteve të punës.
Marrë nga Scantv.al