Shqipëria ka çmimin më të lartë të naftës në rajon me 175 lekë për litër. Ndërkohë, raportohet se Maqedonia e Veriut e ka ulur sërish çmimin e naftës, duke e tregtuar atë për 120 lekë për litër. Edhe pse në bursë çmimi i naftës ka rënë, kjo ulje nuk reflektohet ende në tregjet shqiptare. Sipas Euronews Albania, mjaftojnë 50 euro për të mbushur plot një rezervuar makine me naftë në Maqedoninë e Veriut. Me 3075 denarë, ose 4920 lekë, mund të marrësh plot 44.8 litra naftë.
Edhe pse derivatet e naftës pësuan një rritje drastike gjatë pandemisë dhe ulja e çmimeve nuk është e madhe, Maqedonia e Veriut ende ka çmimin më të ulët në rajon. Në Shqipëri, qytetarët paguajnë më shumë për një litër naftë, ku çmimi shkon në 1.8 euro. Pas saj vijnë qytetarët e Sllovenisë dhe Kroacisë, me përkatësisht 1.50 euro për litër dhe 1.45 euro për litër. Megjithëse Maqedonia e Veriut ka çmimin më të ulët në rajon, për ekspertin e ekonomisë, Abil Baush, këto çmime nuk përputhen me uljen e madhe të naftës në tregjet globale.
“Gjatë pandemisë, Komisioni Rregullativ i Derivateve të Naftës dhe Energjetikës filloi të bëjë kalkulimet në bazë ditore. Kalkulimet që bëhen në tregjet botërore u aplikuan në bazë ditore dhe në njësi ditore. Ashtu siç ‘fluturon’ çmimi i derivateve të naftës, i cili për momentin në tregjet globale është jashtëzakonisht i ulët dhe në rënie, edhe pse jemi në një periudhë kur çmimet normalisht do të rriteshin, për shkak të luftës dhe krizave globale, kalkulimi bëhet sipas këtyre kushteve”, deklaron eksperti i ekonomisë Abil Baushi.
“Deri në fund të vitit mund të kemi ulje të lehtë të çmimeve dhe një lloj stabiliteti në derivatet e naftës, pasi tregjet e mëdha kanë stabilizuar prodhimin pas ndikimit rus në tregjet e naftës”, tha eksperti.
Përveç uljes së çmimit të naftës, ulje të konsiderueshme pati edhe për benzinën. Çmimi i benzinës u ul me 1.5 denarë dhe një litër kushton 75.50 denarë ose 120.83 lekë.
Marrë nga Eurnews.al