Nëse jeni ulur në lokal, mund të qëllojë që kamerieri që vjen të marrë porosinë të mos dijë shqip. Me kuzhinën e hotelit, shefi mund të jetë sërish i huaj, me shumë gjasa turk. Në fund të vitit 2023, në vend kishte gati 1100 të huaj të regjistruar në aktivitetin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor. Sektorët e turizmit dhe ndërtimit janë rekrutuesit më të mëdhenj të punonjësve të huaj sipas një analizë mbi flukset migratore nga vendet e tjera në vendin tonë për vitin 2023.
Përveç se për arsye punësimi në Shqipëri kanë shumë të huaj të tjerë që vijnë për qëllime biznesi, studimi, bashkim familjar etj. Në fund të vitit 2023, numri i të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri rezultoi 21.460 banorë, duke pësuar rritje me 18,2 %, krahasuar me vitin 2022. Arsyet më të zakonshme të aplikimeve për leje qëndrimi të shtetasve të huaj në Shqipëri mbeten aktivitetet fitimprurëse, bashkimi familjar dhe studimi.
Numri i të huajve me leje qëndrimi dominohet nga meshkujt me 63,8 %, kundrejt femrave me 36,2 %. Numri i aplikimeve për leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023 ishte 12.430 aplikime, duke shënuar një rritje me 22,7 %, krahasuar me vitin 2022. Ata me origjinë nga Kosova, Italia dhe Turqia përbëjnë numrin më të madh të të huajve me leje qëndrimi në Shqipëri në vitin 2023.
Të huajt me origjinë nga Europa rezultojnë 15.223 banorë në vitin 2023 dhe përbëjnë 70,9% të të huajve gjithsej, kundrejt 73,3% më 2022. Numri i të huajve për qëllime punësimi në vendin tonë po rritet me shpejtësi vitet e fundit, nisur nga mungesat për fuqi punëtore në shumë sektorë. Vendi ynë karakterizohet nga norma të larta të emigracionit sidomos në moshat e reja.
Marrë nga Monitor