Kompania lidere në dizajnin e çipeve të inteligjencës artificiale, Nvidia, do të përballet me një goditje financiare prej 5.5 miliardë dollarësh, pasi administrata e presidentit Donald Trump vendosi kufizime të reja për eksportin e çipit të saj H20 në Kinë, si pjesë e përshkallëzimit të luftës tregtare mes dy ekonomive më të mëdha në botë.
Aksionet e Nvidia-s ranë me 5% të mërkurën në mëngjes, pas rënies në tregjet parashikuese.
Këto masa vijnë në një moment kur tarifat e reja të vendosura nga Trump po tronditin tregjet globale dhe po shtojnë shqetësimet për rritjen ekonomike botërore.
Organizata Botërore e Tregtisë paralajmëroi të mërkurën se parashikimet për tregtinë globale janë përkeqësuar ndjeshëm, për shkak të valës së re të tarifave dhe pasigurisë rreth politikave tregtare në të ardhmen.
Çipi H20, i lansuar vetëm një vit më parë, u krijua posaçërisht për të përmbushur kontrollet e rrepta të eksportit të SHBA-së ndaj Kinës, duke i mundësuar Nvidia-s të vijonte shitjet në tregun kinez.
Ky çip ka më pak kapacitet përpunues se modeli më i fuqishëm H100, i cili tashmë është i ndaluar për eksport në Kinë.
Megjithatë, H20 ka qenë vendimtar në zhvillimin e modelit të inteligjencës artificiale R1 nga kompania kineze DeepSeek, i ngjashëm me ChatGPT, i cili u trajnua me kosto shumë më të ulët se modelet amerikane.
Ky sukses shënoi një kthesë të rëndësishme për sektorin e AI në Kinë dhe ngriti shqetësime në SHBA.
Në një dosje të dorëzuar pranë autoriteteve rregullatore të martën, Nvidia tha se qeveria amerikane i ka komunikuar se çipi H20 tani do të kërkojë një licencë të veçantë për eksport në Kinë, e cila përbënte 13% të shitjeve të kompanisë vitin e kaluar.
Kompania do të raportojë një kosto prej 5.5 miliardë dollarësh në tremujorin e parë për shkak të inventarit, porosive dhe rezervave të lidhura me H20. Aksionet e saj ranë me 5% në tregjet parashikuese.
Megjithëse analistët e Wedbush Securities e konsideruan ndikimin financiar të përballueshëm, ata theksuan se kjo është një “goditje strategjike” për përpjekjet e Nvidia-s për të ruajtur tregun kinez.
“Kjo tregon qartë se Nvidia tani përballet me kufizime masive për shitjet në Kinë, pasi administrata Trump është e vetëdijshme se vetëm një çip dhe një kompani po e drejtojnë revolucionin e AI-së, dhe kjo është Nvidia,” shkruan analistët në një raport të martën.
Departamenti i Tregtisë i SHBA-së konfirmoi se po vendos kërkesa të reja për licenca eksporti për çipet H20 të Nvidia-s dhe MI308 të AMD-së – çipe të avancuara të AI-së që mund të përdoren për aplikime ushtarake. Licencat do të jenë të detyrueshme pa afat, sipas kompanisë.
Vendimi nuk ishte i papritur, pasi shfaqja e modelit R1 të DeepSeek tronditi tregjet globale dhe shkaktoi thirrje të dyanshme në Kongresin amerikan për të ashpërsuar kontrollet e eksportit të teknologjisë së avancuar.
Në muajt pas këtij zhvillimi, sektori i AI-së në Kinë ka përjetuar një bum, me investime të shtuara dhe një rritje të besimit në tregjet kineze dhe ato të Hong Kongut.
Edhe pse kompani si Huawei dhe prodhuesi i çipeve Cambroon kanë zhvilluar alternativa për H20, sipas Brady Wang nga Counterpoint Research, këto çipe ende mbeten prapa në performancë dhe në zhvillimin e softuerëve, krahasuar me Nvidia-n.
Ai parashikon se hendeku do të zgjerohet, për shkak të ekosistemit të zhvilluar dhe avantazheve të prodhimit që ka Nvidia, edhe pse suksesi i DeepSeek dëshmon se modelet e AI mund të trajnohen edhe me pajisje më të dobëta.
Sipas një raporti të ri të OBTT-së, lufta tregtare po ndikon ndjeshëm në rritjen globale. Rritja e PBB-së botërore për këtë vit parashikohet në 2.2%, që është 0.6 pikë përqindjeje më pak se sa do të ishte pa tarifat e reja. Në Amerikën e Veriut, ndikimi është edhe më i madh, me një ulje të mundshme prej 1.6 pikë përqindjeje në rritje.
Administrata e mëparshme e Biden, para se ai të largohej nga detyra, kishte zgjeruar më tej kufizimet globale, për të penguar që teknologjitë e avancuara të AI-së të bien në duart e kundërshtarëve si Kina, përmes vendeve të treta.
Nvidia, nga ana e saj, ka kritikuar rregullisht kufizimet e reja, duke paralajmëruar se ato rrezikojnë inovacionin dhe zhvillimin ekonomik global. Ned Finkle, zëvendëspresident i Nvidia-s për çështje qeveritare, shkroi në një blog të kompanisë se rregulloret “vënë në rrezik përparimin global” dhe “mund të minojnë rritjen ekonomike dhe inovacionin në mbarë botën.”
Marrë nga CNN