Një projekt i ri rrugor me vlerë indikative prej 210.5 milionë eurosh është përfshirë në Listën Unike të Projekteve me Rëndësi Kombëtare të Qeverisë Shqiptare, me synimin për të zgjidhur njëherë e mirë nyjën e trafikut në hyrjen veriore të kryeqytetit.
Sipas dokumentit zyrtar, projekti i titulluar “Rruga hyrje veriore e cila anashkalon Kamzën, duke lidhur autostradat e veriut, drejtpërdrejt me unazën e re të Tiranës” figuron nën administrimin e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar me nivel prioriteti A.
Ku do të kalojë gjurma e re?
Me ndërtimin e këtij aksi, automjetet që vijnë nga veriu i vendit apo nga Aeroporti i Rinasit nuk do të detyrohen më të përshkojnë rrugën kryesore dhe kthesën e Kamzës për të hyrë në Tiranë.
Përkundrazi, përmes nyjës së Paskuqanit, trafiku do të shpërndahet menjëherë drejt pjesës lindore dhe jugore të kryeqytetit nëpërmjet Unazës së Madhe, duke shkurtuar ndjeshëm kohën e udhëtimit dhe duke lehtësuar qarkullimin e ndotjen urbane në të gjithë zonën e Kamzës.
Ndonëse në Listën Unike projekti mban ende statusin “I pamaturuar”, pasi nuk ka ende të përfunduar studimin e plotë të fizibilitetit, hapat e parë teknikë kanë nisur.
Në tetor 2026, ARRSH hapi procedurën e tenderimit me fond limit rreth 1.8 milionë euro për studimin dhe projektimin e këtij aksi, me afat 12-mujor për dorëzimin e projektit të detajuar.
Marrë nga Kapitali.al