Dhuna online ndaj grave dhe vajzave po merr përmasa gjithnjë e më shqetësuese në Shqipëri. Format më të shpeshta në hapësirën digjitale janë gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i profileve personale, bullizmi kibernetik, kërcënimet dhe shantazhi.
Në hapje të 16 Ditëve të Aktivizimit për Eliminimin e Dhunës me Bazë Gjinore, CRCA–ECPAT Shqipëri dhe Qendra Kombëtare për Internet të Sigurt iSIGURT.al, kanë publikuar rezultatet e analizës të raportimeve për dhunë, urrejtje dhe abuzim online të vajzave dhe grave, nga viti 2016 deri në fund të 2025.
Sipas të dhënave nga raportimet, 1,043 raste, ose 91.4%, lidhen me gra dhe vajza. Vetëm gjatë periudhës Janar-Tetor 2026, janë trajtuar 514 raste, ndërkohë që 458 viktima janë mbështetur nga eSIGURT.
“Po në këtë periudhë janë mbyllur 635 adresa, 1 forum me domain .AL me 42,625 imazhe dhunuese ndaj vajzave. Janë mbyllur 9 kanale në platforma të ndryshme shqip-folëse në total me 232,000 anëtare, shpesh të njëjtët në secilin prej kanaleve të mbyllura”, thuhet në njoftim.
Gjuha e urrejtjes, keqpërdorimi i profileve dhe bullizmi kibernetik dominojnë raportimet
Gjuha e urrejtjes dhe denigrimi përbëjnë 301 raportime, ose 28.9%. Pas tyre renditen profile të vjedhura dhe të keqpërdorura me 270 raportime, ose 25.9% ndërsa bullizmi kibernetik dhe ngacmimi i përsëritur janë evidentuar 248 raportime, ose 23.8%.
Në 95 raste janë raportuar kërcënime, shantazh ose përndjekje, ndërsa 53 raportime lidhen me përmbajtje seksuale ose materiale të abuzimit seksual të vajzave. Të dhënat tregojnë edhe ndryshimin e formave të raportuara të dhunës ndër vite.
“Në vitin 2018 dominojnë raportet për gjuhë të urrejtjes dhe bullizëm kibernetik. Në vitet 2019 dhe 2021 u evidentuan më shumë kërcënime, shantazh dhe përndjekje. Në vitin 2020 u regjistrua një rritje e rasteve me përmbajtje seksuale, ndërsa gjatë viteve 2022–2023 bullizmi kibernetik u bë forma kryesore e raportuar. Në vitet 2024 dhe 2025, gjuha e urrejtjes, profilet e vjedhura për të abuzuar dhe bullizmi kibernetik u shndërruan në format më të përhapura të dhunës së raportuar ndaj grave dhe vajzave”.
TikTok dhe Instagram përqendrojnë pjesën më të madhe të rasteve
Një tjetër element që bie në sy në raportin e Qendrës Kombëtare për Internet të Sigurt është përqendrimi i rasteve në platformat sociale TikTok dhe Instagram.
Nga 1,043 raportimet që lidhen me gratë dhe vajzat, 493 raste ose 47.3%, kanë ndodhur në TikTok, ndërsa 327 raste, ose 31.4%, lidhen me Instagram. Në vijim renditen Facebook me 67 raste, YouTube me 38 dhe Snapchat me 33 raste.
TikTok dhe Instagram së bashku përfaqësojnë 78.6% të të gjitha raportimeve që lidhen me gra dhe vajza. Përqendrimi është edhe më i fortë në vitin 2025. Nga 438 raportime, 282 lidhen me TikTok dhe 112 me Instagram. Këto dy platforma përbëjnë së bashku 90% të rasteve të raportuara gjatë vitit 2025.
CRCA evidenton gjithashtu një ndryshim të platformave ku përqendrohen incidentet, nga YouTube në vitin 2018, te Instagram gjatë viteve 2019–2021 dhe më pas te dominimi i TikTok nga viti 2022 e në vazhdim.
Marrë nga CRCA.al