Në tetor të vitit 2021, Klevis Jahaj u emërua drejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, institucion në varësi direkte të zv.kryeministres Belinda Ballukut. Pas ardhjes në krye, Jahaj dhe Balluku ndërmorën të ashtëquajturën “reforma e ujit”, duke shkrirë drejtoritë e ujësjellësve të rretheve për t’i përqendruar në qendër. Kjo me qëllim të dyfishtë; investimet dhe emërimet do të bëhen me “urdhër nga lart”.
Deri më tani, Jahaj dhe Balluku ia kanë dalë të marrin 11 drejtori të mëdha, teksa rezistencë ka bërë vetëm Ujësjellësi i Tiranës. Por, me goditjet ndaj Veliajt edhe kjo drejtori s’do t’i rezistojë gjatë. Por, gjatë kësaj kohe janë prokuruar qindra miliona euro, ku çdo muaj drejtori i “përkëdhelur” i Ballukut firmos fituesit e procedurave.
VoxNews ka bërë një vëzhgim disa javor, ku rezulton se Jahaj ka shpërblyer oligarkë dhe investitorë strategjikë, duke “përjashtuar” nga këto investime qytetarët e thjeshtë. Tani, reforma e ujit u bë për të pasurit, apo për qytetarët e thjeshtë? Nga njëra anë janë rritur pothuajse të gjitha faturat e ujit në rrethe e në Tiranë, këto me vendime të dyshimta të këshillave bashkiake. Ndërkohë, nga ana tjetër AKUM ka bërë disa tendera për t’u çuar ujin e pijshëm fshatrave turistikë, ku fitues dalin çuditërisht firma që kanë bërë këto fshatra!
Arsyeja e reformës, sipas Ballukut ka qenë “shmangia e problemeve”. Por jo vetëm që s’janë shangur problemet, por ato janë shtuar dhe asgjë s’ka funksionuar. Ndërkohë, në atë vit u bë edhe premtimi i këtyre 35 viteve demokraci; ujë 24 orë! Përveç qarkut të Korçës (që kishte ujë 24 orë para vitit 2022), a ka ndonjë rreth tjetër 24 orë? Natyrisht që jo, megjithëse drejtori i “përkëdhelur” i Ballukut, Klevis Jahaj, tenderon çdo muaj dhjetëra miliona euro.
Në datën 4 nëntor 2024, AKUM lidhi kontratën për tenderin e Ujësjellësit të fshatrave Drenovë, Belishovë, Belistan dhe Visokë, në Bashkinë Mallakastër. Fituesi ka 12 muaj kohë që të ndërtojë këtë vepër, teksa vlera e kontratës me TVSh ishte rreth 422 milionë lekë, ose rreth 4.3 milionë euro. Fitues doli firma “SENKA”.
Sipas dokumenteve që hulumtoi VoxNews, drejtori Klevis Jahaj tenderoi në muajin nëntor 2024 një shumë prej 2 milionë eurosh për rikonstruksionin e Ujësjellësit të Gjirit të Lalzit. Tenderi ishte me objekt “rikonstruksion në rrjetin ekzistues të Ujësjellësit në Zonën e Gjirit të Lalëzit”, teksa synimi ka qenë për të çuar ujë në fshatrat turistikë. Vlera e tenderit ishte 223 milionë lekë me TVSH, ose rreth 2.2 milionë euro. Fitues i procedurës doli kompania “KUPA” sh.p.k.
Lista e milionave të AKUM-it vijon me tenderin e disa fshatrave në Skrapar. Mësohet se Jahaj ka firmosur tenderin me vlerë 1.7 milionë euro, për procedurën me objekt “furnizimi me ujë i fshatrave Prokuc, Kalluc dhe sistemi i KUZ fshati
Bregas”. Dokumentet parashikonin që ndërtimi të bëhej për 12 muaj, teksa firma fituese do t’a bëjë për vetëm 4 muaj. Fituese e kësaj procedure është bashkimi i operatorëve ekonomikë “NG STRUCTURES” dhe “G.P.G. COMPANY”.
Shpenzimet e Jahajt vijojnë me tenderin me vlerë 6.2 milionë euro për të çuar ujë te një fshat në Lezhë. Në fakt, në Lezhë janë bërë disa Ujësjellësa, disa kanë dështuar siç është ai i fshatit Tresh, që është investuar disa herë. Ndërkohë ka ndërhyrë AKUM, i cili ka hapur tenderin me objekt të kontratës “furnizim me ujë i fshatrave Merqi dhe Raboshtë Bashkia Lezhë”. Vlera me TVSH ka shkuar në plot 625 milionë lekë të rinj, teksa procedura është fituar nga firma “JUNIK” sh.p.k, e cila operon në Lezhë.
Sipas dokumenteve që verifikoi redaksia jonë, AKUM-i ka shpallur fituesin dhe ka lidhur kontratën me firmës fituese të tenderit të ndërtimit të Ujësjellësii në Çukë dhe Bërdënesh, Bashkia e Sarandës. Ndërtimi i kësaj vepre do të bëhet për 73 javë, teksa fitues ka dalë BOE shoqëra “ERGI” dhe “ISEC”. Procedura është finalizuar në muajin dhjetor 2024, ndërkohë që fituesi u shpall pasi disa oferta u skualifikuan.
Po me shpejtësi dhe në muajin dhjetor 2024, u shpall fituesi i tenderit për ndërtimin e Ujësjellësit në disa fshatra në Bashkinë e Vaut të Dejës. Mësohet se objekti i procedurës ka qenë “furnizim me ujë të pijshëm për fshatrat Pistull, Pacram dhe Spathar”, teksa afati i punimeve është për 8 muaj. Vlera e tenderit është 176 milionë lekë dhe fitues ka dalë kompania “JUBICA”. Fituesi u shpall në datën 24 dhjetor, ditën e Krishtlindjes.
Ndërkohë, në dokumentet e tenderit ishin vendosur klauzola për ‘punë të ngjashme’, teksa e vetmja firmë që ndërtoi tunelin që kishte punë të ngjashme për ujësjellësa ishte ‘Gjoka’. Një skemë e pastër, ku fituesi dihej nga të gjithë. Madje, edhe dokumentet e bëra nga AKUK-u vetëm sa i janë bashkëlidhur kësaj firme” shkruante VoxNews.
Në muajin janar 2025, AKUM-i hapi një tender për t’i bërë kanalet e ujërave të zeza biznesmenit Alban Xhillari, në zonën e Jalës ku është shpallur edhe investitor strategjik. Procedura u denoncua nga VoxNews, teksa ky ishte një nga rastet më flagrante të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës Kanalizimeve, pasi me paratë e taksapaguesve po i bëhej një shërbim një oligarku.
Z.Xhillari ka disa biznese në Jalë, fillimisht me “Folie Marine”dhe më pas me fshatra të tëra turistikë, ku kodra e bukur e Jalës iu dha falas projektit “Soleil & Sea”, ku po ndërtohen vila, bare, restorante e hotele. Një zonë rezidenciale, ku mendohet që të gjitha projektet të bëhen nga privati, që nga rrugët, kanalizimet e ujërave të zeza. Por, jo në këtë rast, pasi AKUM-i ka shpallur fituesit e tenderit të projektimit.
Drejtori i AKUK-ut Klevis Jahaj, ai i cili dilte përkrah Ballukut te bizneset e vogla për t’i detyruar për impiante, ka shpallur fituesit e tenderit me objekt “studim projektim impiant i trajtimit të ujërave të ndotura dhe sistemi KUZ, Jalë”, me një fond limit 22 milionë lekë.
Pak ditë më parë, VoxNews publikoi një investigim sesi një firmë që po ndërtonte një fshat turistik në Gjirin e Lalzit fitoi tenderin nga AKUM-i për ujërat e zeza të Gjirit të Lalzit. Të jetë një rastësi?
Sipas dokumenteve, drejtori Klevis Jahaj dyshohet se favorizoi dukshëm firmën “Agi Kons”, duke i dhënë “fitoren” e procedurës “rikonstruksion në rrjetin ekzistues të KUZ në Zonën e Gjirit të Lalëzit”, me një afat 12 mujor. Fondi limit i procedurës ishte 316 milionë lekë, vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit.
VoxNews mësoi se firma fituese e këtij tenderi me vlerë 3 milionë euro po ndërton një resort në atë zonë. “AGI KONS” po ndërton kompleksin “Turquoise Marina Kompleks”, në Gjirin e Lalzit.
Marrë nga VoxNews.al