Ish-zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Arben Ahmetaj dhe bashkëjetuesja e tij Erjola Hoxha, kanë paditur në Gjykatën e Strasburgut shtetin shqiptar. Ahmetaj ka akuzuar qeverinë shqiptare për shkelje të imunitetit parlamentar dhe të së drejtës për privatësi gjatë hetimeve të zhvilluara ndaj tij nga SPAK.
Padia është depozituar më 8 maj 2024 dhe çështja i është komunikuar zyrtarisht qeverisë shqiptare më 6 tetor 2025. Akuza lidhet me kontrollin e ushtruar më 9 mars 2023 në banesën e Ahmetajt, si dhe me sekuestrimin e telefonit të partneres së tij Erjola Hoxha, mbi bazën e një urdhri të GJKKO.
Ahmetaj pretendon se kontrolli ishte i paligjshëm, pasi në atë kohë ai ishte deputet i Kuvendit të Shqipërisë, dhe sipas nenit 73, pika 2 të Kushtetutës, banesa e një deputeti nuk mund të kontrollohet pa miratim paraprak nga Kuvendi.
Pas padisë së depozituar, Gjykata e Strasburgut i ka kërkuar qeverisë shqiptare që të sqarojë: Nëse kontrolli i banesës së Ahmetajt është kryer në përputhje me Kushtetutën shqiptare dhe me rregullat e imunitetit parlamentar; dhe nëse ligjet dhe praktika gjyqësore shqiptare ofrojnë mjete të mjaftueshme për të ankuar vendimet e tilla të kontrollit dhe sekuestrimit.
DOKUMENTI:
Kërkuesit ankohen se kontrolli i banesës së tyre ishte i paligjshëm, pasi kërkuesi i parë ishte AP në kohën përkatëse, dhe banesa e tij nuk mund të kontrollohej pa autorizim paraprak të Parlamentit (sipas nenit 73 (2) të Kushtetutës); dhe se ata nuk kishin qasje në një procedurë për të kundërshtuar kontrollet në fjalë, në kundërshtim me kërkesat e neneve 8 dhe 13 të Konventës.
A ofronin legjislacioni dhe praktika vendase mjete procedurale të mjaftueshme për të kundërshtuar ligjshmërinë e urdhrit të kontrollit, mënyrën e kryerjes së kontrolleve të banesës së tyre dhe të personit dhe telefonit celular të kërkueses së dytë, ose sekuestrimin e sendeve në banesën e tyre, siç kërkohet nga nenet 8 dhe 13 të Konventës (shih Brazzi kundër Italisë, nr. 57278/11, §§ 41-48, 27 shtator 2018; Giuliano Germano kundër Italisë, nr. 10794/12, § 95, 22 qershor 2023; Mukhtarli kundër Azerbajxhanit, nr. 39503/17, §§ 216 dhe 217, 5 shtator 2024; dhe Posevini kundër Bullgarisë, nr. 63638/14, § 84, 19 janar 2017)? Në veçanti, a ishte vendimi gjyqësor i 8 marsit 2023 i ankueshëm?
Qeveria ftohet të paraqesë jurisprudencën përkatëse dhe shembuj të shqyrtimit nga gjykatat më të larta të apelimeve të ngjashme.
Marrë nga Zeri.al