Zgjedhja e Asim Vokshit si anëtar në Gjykatën Kushtetuese, duket se po kalon përmes një kontestimi të gjatë dhe të vështirë. Fillimisht ishte rivalja e tij në garë, Naureda Llagami, ajo që kontestoi procesin në Gjykatën e Lartë, përmes një vote që sipas saj u shpall qëllimisht e pavlefshme, pasi ishte në favorin e saj. Vokshi arriti që të siguronte vendin në Gjykatën Kushtetuese, në sajë të pikëzimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili e rendiste të parin. Për të rrëzuar këtë renditje, Llagamit i duhet të merrte 3/5 e votave të anëtarëve të Gjykatës së Lartë, pra 9 nga votat e kolegëve të saj. Vota e klasifikuar e pavlefshme tashmë po ndjek rrugët e Gjykatave, ndërsa shkalla e parë administrative e rrëzoi pak ditë më parë padinë e Llagamit.
Por paralelisht me procesin ligjor të ndjekur nga Llagami, gjatë ditës së djeshme në Top Channel, u tha se gjyqtari Vokshi është emëruar në Kushtetuese në shkelje të ligjit, për shkak se sipas tyre ai ka qenë informator i shërbimeve sekrete, dhe një fakt i tillë pretendohej se ishte fshehur nga kreu i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Lajmi në fjalë pretendonte se kishte konsultuar dokumente zyrtare, që nuk ishin marrë parasysh nga KED, gjatë mbledhjes së informacioneve për kandidatët.
Vetë gjyqtari Vokshi, i cili deri tani kishte qëndruar në heshtje, mbrëmjen e djeshme bëri një reagim publik, duke e konsideruar lajmin e Top Channel të rremë, dhe fushatën e baltës që hidhet ndaj tij, të mbështetur nga interesa malinje.
“Fake news si ky nuk kisha parë ndonjëherë. Siç duket paska interesa të forta të paligjshme që duan të njollosin procedurën dhe produktin ligjor që prodhoi gara për zgjedhjen nga Gjykata e Lartë të një anëtari të Gjykatës Kushtetuese.
Ideja se shpif e shpif se diçka mbetet është e vjetër sa vetë jeta, por i përbuz me neveri këto shpifje dhe u siguroj se do ndjek çdo procedurë ligjore për të zhdukur këto diarre shpifjesh, që më trishton së tepërmi ta shoh të derdhet në një televizion kombëtar, për të cilin kisha besimin deri më sot, që do kishte të paktën minimumin e etikës gazetareske, para se të hidhte në mejhane të tilla shpifje përbaltëse. Më vjen vërtet keq që shkoi puna deri këtu”, shprehet Vokshi.
Gjatë ditës së sotme ka pasur një reagim dhe nga vetë Këshilli i Emërimeve në drejtësi, ku thuhet se lajmi i Top Channel përmban akuza të pabazuara dhe të rrezikshme, cenojnë figurën e magjistratëve të përmendur dhe autoritetin e organeve kushtetuese.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Kryetari i tij nuk kanë fshehur asnjë informacion. Çdo veprim dhe vendimmarrje e Këshillit është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe është formalizuar me vendime të miratuara, të cilat publikohen në mënyrë të rregullt në faqen zyrtare të KED, në respekt të parimit të transparencës dhe llogaridhënies publike. Një gjë e tillë nuk ka gjetur pasqyrim në raportimin mediatik të lartpërmendur.
Deklarata e plotë:
Kushtetuta dhe ligji garantojnë lirinë e medias dhe të drejtën e informimit, por njëkohësisht kërkojnë ushtrimin e tyre me përgjegjësi, pa abuzim dhe pa cenuar të drejtat e të tjerëve apo rendin publik.
Në vijim të publikimit të bërë nga “Top Channel”, që ka tejkaluar kufijtë e ushtrimit të përgjegjshëm të kësaj lirie, përmes akuzave të pabazuara dhe pretendimeve të rënda, të pavërteta dhe shumë të rrezikshme, që cenojnë figurën e magjistratëve të përmendur dhe autoritetin e organeve kushtetuese, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vlerëson të nevojshme të informojë opinionin publik për disa fakte themelore.
Indikacionet paraprake tregojnë se ky publikim mbështetet mbi të dhëna të rreme, të marra nga burime të dyshimta, në kufijtë e shkeljeve penale. Sa më sipër përbën një devijim serioz nga standardet ligjore dhe etike të informimit publik, ndërsa mbetet i paqartë qëllimi i vërtetë i lajmit.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe Kryetari i tij nuk kanë fshehur asnjë informacion
Çdo veprim dhe vendimmarrje e Këshillit është zhvilluar në përputhje të plotë me ligjin dhe është formalizuar me vendime të miratuara, të cilat publikohen në mënyrë të rregullt në faqen zyrtare të KED, në respekt të parimit të transparencës dhe llogaridhënies publike. Një gjë e tillë nuk ka gjetur pasqyrim në raportimin mediatik të lartpërmendur.
Administrimi i informacionit të klasifikuar
Ligji përcakton qartë se të dhënat që prekin sigurinë kombëtare administrohen në mënyrë të posaçme dhe nuk mund të bëhen publike. Këshilli, duke respektuar rreptësisht detyrimet ligjore për ruajtjen e konfidencialitetit, ka verifikuar se të dhënat e përcjella ishin të pabazuara dhe nuk kishin asnjë ndikim ligjor apo faktik në vlerësimin e kandidatit.
Cenim i reputacionit institucional dhe i figurës së magjistratit
Publikimi i djeshëm përbën një akt të papërgjegjshëm, që cenon rëndë integritetin e magjistratëve, autoritetin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, si dhe të institucioneve të tjera kushtetuese. Përhapja e të dhënave të klasifikuara ose interpretimi i shtrembëruar i tyre përbën shkelje të ligjit dhe dëmton besimin e publikut te institucionet kushtetuese.
Nevoja për verifikim të burimit të informacionit
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi i kërkon organeve kompetente të verifikojnë menjëherë mënyrën se si është siguruar dhe shpërndarë informacioni i pavërtetë që mund të përmbajë të dhëna të klasifikuara, si dhe të vlerësojnë përgjegjësitë ligjore që rrjedhin nga ky veprim për efekt të ndjekjes penale ose administrative, në përputhje me parimet e përgjegjësisë dhe etikës publike.
Përkushtim ndaj ligjit dhe transparencës
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi siguron opinionin publik se mbetet i përkushtuar që çdo proces të zhvillohet me paanësi, profesionalizëm dhe respekt të plotë për ligjin, i pandikuar nga asnjë formë presioni apo ndërhyrje të paligjshme, duke garantuar që vlerësimi i kandidaturave të bëhet mbi baza të dokumentuara, të verifikueshme dhe në përputhje me parimet kushtetuese.
Si nisi gara për anëtarin e ri të Gjykatës Kushtetuese, Asim Vokshi do të zëvendësojë Holta Zaçajn
Në dhjetor të vitit të kaluar, kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, shpalli hapjen e procedurës së aplikimit për zgjedhjen me mandat të plotë të anëtarit të Gjykatës Kushtetuese për vendin e Holta Zaçajt. Shpallja e procedurës shkaktoi polemika mes Zaçajt dhe kryetarit të Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi. Ky i fundit këmbënguli se mandati i Zaçajt përfundonte në pranverë të vitit 2025 dhe hapi procedurat për përzgjedhjen e pasardhësit të saj duke shpallur vendin vakant. Nga ana tjetër, kryetarja e Gjykatës Kushtetuese pretendoi se mandati përfundonte në fund të vitit 2025 dhe e akuzoi Gjykatën e Lartë për cënimin e sigurisë juridike të mandateve të gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Megjithëse Gjykata Kushtetuese e gjeti me shkelje njoftimin e kryer nga Gjykata e Lartë, e la në fuqi shpalljen e vakancës. Shumica e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese vendosën mbarimin e mandatit të Zaçajt më 10 mars 2025.
Marrë nga Zëri.al