Në vitin 2024, Ministria e Bujqësisë pas shumë vitesh mbështeti sërish fermerët e bimëve aromatike medicinale, jo vetëm për naftën, por edhe për sipërfaqen e kultivuar.
Top Channel siguron listën emërore të fituesve ku 846 fermerë nga Malësia e Madhe u shpallën fitues të kësaj skemë, ku për 6,345.1 Ha, ata morën 190.353.000 ALL.
Ky abuzim që kap vlerën e 2 milion eurove, tashmë po hetohet nga KLSH dhe Auditi i Ministrisë së Bujqësisë.
Historia u përsërit sërish në 2025, kësaj herë AZHBR dhe kryetarët e Njësisë Administrative e rritën numrin e aplikimeve duke dyfishuar sërish sipërfaqen e tokës së punuar ku për 1.290 aplikime AZHBR kërkonte të jepte para për 11.430.1 ha me sherbelë dhe livandër.
Por kjo tentativë fatmirësisht u ndal, pasi drejtoresha Ardita Kuçi, mësoi se abuzimi i një viti më parë u zbulua nga Ministria e Bujqësisë.
Në shkresën zyrtare që disponon Top Channel drejtoresha e AZHBR-së i drejtohet Sekretari të Përgjithshëm të ministrisë Dritan Palnikaj, duke thënë se nga këto aplikime këtë vit vetëm, 470 janë quajtur të rregullta, por që vetëm për 196 fermerë janë ekzekutuar pagesat me një sipërfaqe totale 1.203.04 ha.
Ky numër i vogël fermerësh përfituesish tregon realitetin e abuzimit të vitit 2024, ku 2 milion euro shkuan në rrugët e korrupsionit për tokë të pa mbjella.
Sipas rregullave të Ministrisë, nëpërmjet skemës kombëtare çdo fermer do të përfitonte 30 mijë lekë për hektar, nga 1-10 hektarë sipërfaqe.
Ndërsa fermerët që kanë mbi 10 hektarë do të përfitonin mbi 50% të financimit të masës për çdo hektar mbi tavanin. Por e vërteta e vitit të shkuar qëndroi se për këtë zonë u shpërndanë para për tokat e mbjella në letër, dhe jo në terren.
Marrë nga Top Channel