Tre qytetarë, Ervin Vrioni, Beonard Prençi dhe Adgert Fejza kanë paraqitur një kërkesë për gjykim penal me akuzë ndaj kryeministrit Edi Rama, për veprat penale të “Fyerjes” dhe “Shpifjes”. Sipas dokumentit të datës 29 tetor 2026, të paraqitur pranë Gjykatës së Posaçme (GJKKO), tre kërkuesit pretendojnë se janë cenuar nga deklaratat publike të Ramës më 23 tetor, gjatë një komunikimi ku ai prezantoi fotografi të personave që i lidhi me protestat në Tiranë dhe bëri deklarime për të kaluarën e tyre penale. Sipas tyre, këto deklarime kanë cenuar nderin, dinjitetin dhe reputacionin personal e shoqëror të klientëve të tyre.
Avokati i tyre, Altin Goxhaj tha se kryeministri Edi Rama e ka për detyrë që të paraqitet në seancën e parë të GJKKO. “Sot jemi te GJKKO për të sjellë këtu Edi Ramën, këta nuk e marrin, do ta sjellim ne. Këta nuk marrin Belindën dhe jo më Ramën. Sipas ligjit, kushdo që ka një padi për shpifje, për fyerje ka të drejtë të sjellë Edi Ramën te Gjykata Speciale.Edi Rama ka dashur të shantazhojë qytetarët, kundërshtarët dhe e ka lënë në Kodin Penal shpifjen dhe fyerjen, jo në Gjykatë Civile. Kjo është arsye pse tre qytetarë të ndershëm të fyer mbi të cilët është shpifur 4-5 ditë më parë nga Rama, duke i akuzuar për precedent penal që nuk ekzistojnë e kanë sjellë Ramën si për shpifjen që ka bërë edhe për fyerjen që ka bërë për ta. Këtu jemi për pjesën penale, shumë shpejt do jemi edhe për pjesën civile.