Media italiane “Altreconomia” ka publikuar një artikull të detajuar ku thuhet seItalia ka kryer riatdhesimin e parë direkt nga Shqipëria. Sipas “Altreconomia” më 9 maj, një fluturim që nisej nga Roma për në Kajro ndaloi në tokën shqiptare për të marrë 5 persona me origjinë egjiptiane që mbaheshin në Qendrën e Paraburgimit të Riatdhesimit (CPR) në Gjadër.
Në artikull shkruhet se kjo është një procedurë e paprecedentë që qeveria italiane ka vendosur ta kalojë në heshtje. Sipas medias italiane, më fund të pasdites së 8 majit, operatori Pas professional solution Srl, nëpërmjet avokatit të tij të posaçëm Angelo Gabriele Bettoni, nënshkroi kontratën prej 113,850 eurosh për shërbimet e kërkuara.
“Altreconomia” shton se të nesërmen, një aeroplan u nis nga Roma për në kryeqytetin shqiptar, ku u ul rreth orës 3:30 të pasdites, dhe më pas u nis përsëri një orë e gjysmë më vonë për në Kajro, me njerëz nga CPR në Gjadër në bord.
“Sipas të dhënave të marra nga Altreconomia në mesin e qershorit, nga 11 prilli deri më 21 maj, pati pesë tranzite dhe po aq riatdhesime të qytetarëve egjiptianë nga Republika e Shqipërisë, pikërisht ata që përfunduan në fluturim. Ministria e Brendshme, e pyetur për këtë pikë, nuk iu përgjigj kërkesave për sqarime. Megjithatë, ajo që dihet me siguri është se kur Drejtoria Qendrore publikoi njoftimin dhe caktoi operacionin më 28 prill, nuk kishte qytetarë egjiptianë në Gjadër: këta do të ishin sjellë “posaçërisht” në ditët e para të majit dhe më pas do të ishin ngarkuar në avionin çarter në Tiranë”, shkruan media italiane.
Gjithashtu “Altreconomia” shkruan se lëvizja e qeverisë italiane, e cila është mbajtur “sekret” deri më tani, ngre shumë pyetje, para së gjithash në lidhje me legjitimitetin e procedurës.
“Edhe nëse dikush do të donte të argumentonte, me një tezë që sipas mendimit tim është e pabazuar, se Qendra e Pritjes në Gjadër është e krahasueshme me qendrat e vendosura në territorin kombëtar italian, nuk është në asnjë mënyrë e pranueshme të parashikohet që personi të nxirret nga zona e qendrës së paraburgimit, në territorin shqiptar, dhe më pas të riatdhesohet që andej”, shpjegon Gianfranco Schiavone, një ekspert për emigracionin dhe anëtar i Shoqatës për Studime Ligjore mbi Imigracionin (ASGI).
Marrë nga Altreconomia.it