Projekti dhe ndërtimi i Unazës së Madhe të Tiranës është një dosje në Prokurorinë e Posaçme, SPAK, ku të akuzuar për favorizim në tendera është ministrja e pezulluar e Infrastrukturës, 2 ish-drejtorë të ARRSH-së, Gjyli dhe Berberi, si dhe punonjës të tjerë. Me veprime dhe mosveprime këta persona favorizuan dukshëm kompani private, duke i dhënë tenderin në “tavolinë”.
Megjithëse segmenti është hapur për qarkullim vetëm vitin e fundit, sërish rruga po vijon të “hajë” para. Fillimisht ishte Autoriteti Rrugor Shqiptar që “shpërbleu” firmat fituese të tenderit, duke i dhënë shtesa kontrata, për punë që duhet t’i kishin bërë në projektin fillestar.
Megjithëse projekti është ndërtuar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar, institucionet e tjera po vijojnë të mbushin “gropat” e lëna pas nga firmat ndërtuese, apo edhe nga keqmenaxhimi i firmave që duhet t’i kontrollonin, apo edhe nga zyrtarët e ARRSH-së që mbyllën sytë.
Fondi limit i procedurës është 60.088.333 lekë pa TVSH, ndërkohë që nëse do e konvertojmë në euro, shuma shkon në plot 623 mijë euro. Një shumë e konsiderueshme, duke qenë se Unaza e Madhe duhet të ishte mirëmbajtur nga vetë ARRSH-ja, nga firmat që e ndërtuan apo nga gjithçka tjetër.
Si në shumë projekte në mbarë Shqipërinë, edhe Unaza e Madhe, e cila aktualisht e ka një dosje të hapur në SPAK, po vijon të “hajë” para’.
Në dokumente shkruhet se kjo drejtori kërkon një mjet sinjalizimi që përdoret posaçërisht për të treguar kryqëzimet e autostradave dhe rrugëve. Përdoret gjithashtu gjerësisht në situata të veçanta rreziku, për të paralajmëruar pengesat e ardhshme, ndarjen e korsive etj.
Gjithashtu kërkon edhe struktura antizhurma prej çikllasi, të cilat në disa vende janë vendosur nga firmat që e ndërtuan dhe në disa të tjera nuk i vendosën. Kërkohen tabela informative me bazament, apo në mur.
Kërkohen reflektorë asfalti, pllakë fosforeshente apo edhe mbrojtës metalik të rrugës. Në dokumente specifikohet se kërkohen edhe panele për mbrojtje kundra zhurmës, barrierë me tuba apo edhe ishuj trafiku si amortizatorë.
Marrë nga VoxNews.al