Banka Raiffeisen në Tiranë fshehu paratë e Bankers Petroleum përmes një manovre tinëzare me qëllim që qeveria dhe kreditorët e tjerë privatë të mos mblidhnin dot detyrimet e papaguara të kompanisë kineze.
Për shkak të borxheve të mëdha, Bankers Petroleum praktikisht nuk mund të përdorte dot asnjë llogari për të bërë pagesa në Shqipëri, pasi paratë do të sekuestroheshin menjëherë si nga tatimet apo dhe nga subjektet e tjera, ndaj të cilave Bankers ka detyrime të papaguara.
Por teksa shteti dhe përmbaruesit xhironin më kot me vendimet e gjykatave dhe urdhrat e ekzekutimit në duar, Bankers dhe Raiffeisen ngritën një skemë të sofistikuar për të fshehur paratë e kompanisë kineze. Gjithçka u bë përmes një overdrafti që Raiffeisen hapi për kompaninë Bankers.
Bankers përdorte overdraftin e Raiffeisen për të kryer pagesat në Shqipëri dhe pasi harxhonte një sasi të caktuar parash nga ky overdraft i zëvendësonte ato duke transferuar para nga llogaria e saj në Vienë, por gjithmonë duke u kujdesur që overdrafti të mos kalonte asnjëherë në shifër pozitive.
Për shkak se overdrafti është praktikisht borxh, legjislacioni në fuqi nuk lejon bllokimin apo ekzekutimin e tij. Kjo pasi paratë, konsiderohen të bankës dhe jo të subjektit që i është çelur overdrafti.
Por skema djallëzore u zbulua nga prej përmbaruesve të shumtë që kërkonin më kot të ekzekutonin para nga Bankers për llogari të kreditorëve. Altin Latifi iu drejtua me shkresë zyrtare bankës Raiffeisen duke e vënë në dijeni se ajo që po bënte ishte e paligjshme dhe praktikisht një vepër penale.
“Ju jeni në dijeni që Bankers Petroleum kohët e fundit ka humbur gjyqe abritrazhi lidhur me detyrimet ndaj shtetit, që ky i fundit nuk po i ekzekuton dot për shkak të ndihmës pa kufij që po i jepni Ju,” i shkruan përmbaruesi Bankës Raiffeisen duke i rikujtuar se kjo ishte shkelje e qartë e nenit 320 të kodit penal dhe përbënte vepër penale, e cila dënohet me burg.
Në fund ai e ka paralajmëruar Raiffeisenin se nëse nuk do të ndalte transaksionet e paligjshme, do të njoftonte të gjitha organet ligjzbatuese.
Përfshirja e bankave në skema, të cilat dëmtojnë interesin publik për shkak të pazareve korruptive, që bëjnë drejtuesit e tyre, është një nga skandalet më të rënda financiare. Kjo është arsyeja se pse shtetet rregullojnë fort me ligje sistemin bankar.
Manovra e Raiffeisen me Bankers me oevrdratin ka vazhduar për një kohë të gjatë, edhe pasi u zbulua. Vetëm pak kohë më parë, banka e mbylli overdraftin pasi shpërtheu dhe çështja e gjobës së famshme 120 milionë euro të doganave.
Marrë nga Kapitali.al