Universiteti i Tiranës ka hapur një procedurë tenderimi për blerjen e një “Software-i digjital për kontroll antiplagjature”, një investim që synon forcimin e kontrollit akademik mbi plagjiaturën dhe verifikimin e punimeve shkencore, diplomave, doktoraturave dhe publikimeve universitare.
Sipas dokumenteve të tenderit, fondi limit i kontratës është 5.916.000 lekë pa TVSH dhe kontrata do të ketë një kohëzgjatje 12-mujore. Ofertat do të pranohen deri më 25 maj 2026, ora 11:00, përmes sistemit elektronik të Agjencisë së Prokurimit Publik.
Platforma pritet të përdoret për kontrollin e: temave të diplomës; disertacioneve të doktoraturës; artikujve shkencorë; punimeve të studentëve; materialeve akademike të depozituara në universitet.
Sistemi duhet të jetë në gjendje të krahasojë dokumentet me databaza të ndryshme digjitale dhe të evidentojë përqindjen e ngjashmërisë, citimet e papërshtatshme apo kopjimet e pjesshme dhe të plota.
Rëndësia për universitetin dhe sistemin akademik
Investimi vjen në një kohë kur çështja e plagjiaturës në arsimin e lartë ka qenë shpesh pjesë e debatit publik në Shqipëri, sidomos për doktoraturat dhe publikimet akademike. Përdorimi i një sistemi të centralizuar antiplagjiaturë konsiderohet një mekanizëm për rritjen e integritetit akademik dhe transparencës në procesin e vlerësimit të punimeve.
Funksionaliteti i platformës
Software-i antiplagjiaturë që synon të blejë Universiteti i Tiranës do të përdoret për garantimin e integritetit akademik dhe shkencor, përmes kontrollit të originalitetit të artikujve shkencorë, disertacioneve, punimeve kërkimore dhe materialeve të tjera akademike.
Sistemi pritet të ofrojë kontroll të avancuar të ngjashmërisë së tekstit, gjenerim automatik të raporteve të ngjashmërisë dhe identifikim të kopjimit të drejtpërdrejtë, parafrazimeve të paautorizuara, manipulimeve të tekstit dhe koluzionit akademik. Platforma duhet të krijojë raporte të detajuara me përqindjen e ngjashmërisë, burimet e identifikuara dhe krahasim “side-by-side” të teksteve, si edhe të lejojë filtrimin e rezultateve dhe shkarkimin e raporteve në PDF.
Sipas specifikimeve teknike, software-i duhet të krahasojë dokumentet me databaza shumë të mëdha ndërkombëtare, që përfshijnë mbi 90 miliardë faqe web, mbi 1.4 miliardë punime studentore dhe më shumë se 240 milionë botime shkencore, përfshirë revista akademike, libra, konferenca dhe materiale Open Access.
Përdorues të sistemit do të jenë kërkuesit shkencorë, stafi akademik, doktorantët dhe administratorët institucionalë. Universiteti kërkon një licencë institucionale për 100 kontrolle dokumentesh në vit, me mundësi zgjerimi sipas nevojave.
Platforma duhet të funksionojë përmes web-it dhe të mbështesë integrimin me sisteme ekzistuese si Moodle, Microsoft apo Canvas, si edhe konfigurimin Single Sign-On (SSO).
Një nga funksionet kryesore është “Translated Matching”, që lejon kontrollin e dokumenteve të shkruara në gjuhë të tjera përmes përkthimit automatik në anglisht dhe krahasimit me databaza ndërkombëtare. Sistemi mbështet rreth 60 gjuhë, përfshirë shqipen, dhe gjeneron automatikisht dy raporte: raportin standard dhe raportin e përkthyer. Ky funksionalitet synon të parandalojë plagjiaturën përmes përkthimit mashtrues dhe të sigurojë krahasim me burime shkencore në anglisht edhe për dokumentet në gjuhë të tjera.
Platforma duhet të mbështesë integrimin me sisteme si Moodle, Canvas, D2L dhe LTI 1.3, ndërsa aktivizimi i funksionit bëhet nga administratorët në nivel institucional dhe më pas për çdo detyrë ose dokument.
Një tjetër komponent i kërkuar është “AI Writing Detection” ose ekuivalent, që analizon tekstet për të identifikuar indikatorë probabilistikë të përmbajtjes së krijuar nga inteligjenca artificiale. Rezultatet do të shfaqen në raportet e ngjashmërisë për t’u përdorur nga pedagogët dhe administratorët akademikë.
Marrë nga Ekofin.al