KthjellKthjellKthjell
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Leximi: Mesazhet zbulojnë punën e përditshme dhe dramat e një organizate ndërkombëtare të kokainës
Share
Njoftim Shfaq më shumë
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
KthjellKthjell
Ndryshimi i madhësisë së shkronjaveAa
  • Editorial
  • Politike
  • Bota
  • Ekonomi
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Kërko...
  • Editorial
    • Analize
    • Koment
    • Opinion
  • Politike
    • Aktuale
    • Zhvillim
  • Bota
    • Rajoni
    • Te Tjera
  • Ekonomi
    • Finance
    • Korrupsion
  • HI-Tech
  • Kulture
  • Sociale
  • Sporti
  • Të ruajtura
  • Live RadioLive RadioLive Radio
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.
Kthjell > Blog > Editorial > Analize > Mesazhet zbulojnë punën e përditshme dhe dramat e një organizate ndërkombëtare të kokainës
AnalizeFokusKryesoreOpinionSocialeZhvillim

Mesazhet zbulojnë punën e përditshme dhe dramat e një organizate ndërkombëtare të kokainës

Përditësimi i fundit: 15 Maj, 2026 10:20 am
15 Shikime
Share
28 Min. Leximi
SHARE

Ka kaluar një javë dhe Dritan Gjika, një i dyshuar si bos i kokainës i njohur si “Tony”, ende po pret të paguhet.

“Shiko zotëri, partneri yt më tha se do t’i dërgonte paratë dje, pastaj ai më tha se do vinin sot më vonë” – i thotë Gjika një ortaku të tij. Ata po diskutojnë shitjen e “materialit” të dërguar me kontejner nga Ekuadori në Spanjë.

Kur burri i thotë të “qetësohet” dhe të mos jetë kaq “mosbesues”, Gjika zbraz gjithë zhgënjimin e tij.

“Zotëri, nuk është mosbesim, është respekt! … Gjithçka mbërriti mirë, çmimi u dakordësua siç dëshiroje ti. Nuk kam pse të pres që ai të mbarojë shitjen me pakicë që të paguhem.”

Më vonë, ai sqaron: “Është thjesht biznes dhe na duhet shpejtësi.”

Kjo bisedë e tensionuar nuk ndodhi në një restorant italian apo në një zyrë moderne në qytetin portual të zhurmshëm të Ekuadorit, Guayaquil, ku dihej se takohej Gjika me bashkëpunëtorët e tij.

Përkundrazi, ajo u zhvillua në mënyrën si shumica e njerëzve komunikojnë sot, përmes mesazheve. Dallimi i vetëm është se këta burra po i shkruanin njëri-tjetrit përmes platformës së enkriptuar të mesazheve SkyECC, një mjet i preferuar i kriminelëve dhe figurave të botës së nëndheshme derisa u zbërthye nga policia evropiane në vitin 2021.

Pas dekriptimit të platformës, bisedat Sky u ndanë me autoritetet në mbarë botën, përfshirë Ekuadorin, ku Gjika, i lindur në Shqipëri, kërkohet për akuza të krimit të organizuar dhe pastrimit të parave.

OCCRP ka siguruar qindra faqe të regjistrave të bisedave të Gjikës në Sky, të cilat u dorëzuan nga prokurorët ekuadorianë si prova në çështjen penale kundër tij dhe anëtarëve të dyshuar të rrjetit.

Mesazhet, të cilat datojnë nga maji 2020 deri në mars 2021, ofrojnë një panoramë të paprecedentë brenda operacioneve të përditshme të një organizate të fuqishme të drogës, struktura e së cilës, si një kompani, shtrihej përtej kufijve në një kërkim të pandalshëm për fitim.

Mesazhet nxjerrin në pah gjithashtu nivelin e infiltrimit të grupit në radhët e policisë dhe autoriteteve portuale të Ekuadorit, një vend dikur i qetë që vitet e fundit është kthyer në një nyje kryesore të trafikut të kokainës.

Të paktën 17 persona të akuzuar si anëtarë apo ndihmues të organizatës kriminale janë dënuar në Ekuador, 15 prej të cilëve kanë apeluar vendimin dhe gazetarët mësuan se ata janë ende në pritje të vendimit për apelimin e tyre. Katër të tjerë janë dënuar për pastrimin e parave të ardhura nga tregtia e paligjshme, ku mes viteve 2015–2023 janë transferuar më shumë se 43 milionë dollarë.

Megjithatë, Gjika, njeriu që prokurorët pretendojnë se është kreu i kësaj organizate, dhe tani një nga më të kërkuarit në Ekuador, arriti të largohej nga vendi pa u zbuluar. Më vonë, në maj të vitit 2025, ai u arrestua në Abu Dhabi dhe pret ekstradimin. Në Ekuador, ndaj tij ka një urdhër gjykate për t’u përballur me akuzat sapo të mbërrijë atje. (Avokatët e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për koment, por në një seancë para gjyqit në Ekuador ata argumentuan se nuk kishte prova të mjaftueshme për të vërtetuar se klienti i tyre kishte kryer një krim, dhe vunë në dyshim ligjshmërinë e mënyrës se si mesazhet e Sky ishin siguruar fillimisht.)

Gjika nuk ishte nga ata që i linin gjërat në dorë të fatit. Sipas bisedave të përgjuara, ai ishte i përfshirë drejtpërdrejt pothuajse në çdo pjesë të operacionit, nga punësimi i shoferëve deri te menaxhimi i orareve të transportit dhe llogaritja e saktë e borxheve të mbetura. Ai vlerësonte besueshmërinë dhe diplomacinë dhe duket se gëzonte besnikëri të fortë nga bashkëpunëtorët e tij.

“Do vij me ty kudo që të më thuash vëlla… dhe me sy mbyllur,” shkroi një nga bashkëbiseduesit e tij të shpeshtë, për të cilin bisedat sugjerojnë se u shndërrua në pikën ndërlidhëse me furnizuesit kolumbianë, pasi Gjika i tha në dhjetor 2020 se kishte “shumë punë” për të ofruar.

Pavarësisht se vinte nga një vend mijëra milje larg, Gjika duket se kishte zotëruar në mënyrë të habitshme spanjishten, duke komunikuar në mesazhet e tij të zakonshme në zhargon, si dhe me gjuhë të koduar kur bëhej fjalë për diskutimin e detajeve të punës së tij.

Për të kuptuar deshifrimin e këtyre bisedave, gazetarët krahasuan përmbajtjen e mesazheve me mijëra faqe të dokumenteve gjyqësore që përmbanin raporte policore dhe dëshmi, si dhe dosje të tjera nga hetimi i prokurorëve. Gazetarët gjithashtu u konsultuan me ekspertë për të verifikuar kuptimin e zhargonit të koduar të grupit.

Në botën e tyre, rezultoi se një “kuti” mund të nënkuptojë një kontejner transporti që mund të jetë i “mbushur” me “gjëra”, që mbushet me paketa kokaine. Ndërsa “të shëmtuarit” i referohet policisë.

Megjithatë, në një bisedë tjetër, një ortak biznesi i Gjikës flet mbi punën e tyre dhe e përshkruan atë si “traqueteando”, një zhargon në Amerikën Latine për trafikim.

“… e vërteta është që ne jemi duke ‘traqueteando’, nuk jemi duke shitur vezë që të bëjmë zbritje… ky është mendimi im vëlla.”

Shqiptari 49-vjeçar mbërriti për herë të parë në Ekuador në vitin 2009 me një vizë të përkohshme vizitori, ku u bashkua një grupi shtetasish ballkanikë që janë zhvendosur më afër burimit të tregtisë së kokainës në dekadat e fundit. Edhe pse Ekuadori nuk është vetë prodhues i narkotikut, ai është shfaqur si porti kryesor i eksportit në Amerikën Latine, duke pritur një tregti që tani kontrollohet kryesisht nga grupe kriminale shqiptare, meksikane dhe kolumbiane që bashkëpunojnë me banda lokale në terren.

Sipas Renato Rivera, studiues në Global Initiative against Transnational Organized Crime (GI-TOC), trafikantët shqiptarë sollën në biznesin e kokainës në Ekuador një kulturë të veçantë korporative që fokusohej më shumë te fitimi sesa te përfshirja në luftëra territoriale për kontroll.

Për këtë qëllim, rrjeti që dyshohet se drejtohej nga Gjika ishte fleksibël dhe, sipas tij, nuk dukej se kishte një aleancë të qëndrueshme me asnjërën prej bandave kryesore kriminale të Ekuadorit.

“Këta lloj njerëzish nuk ‘martohen’, si të thuash. Ata nuk formojnë aleanca strategjike me asnjë nga grupet kriminale,” tha Rivera. “Përkundrazi, është një model biznesi i bazuar në mundësitë e tregut.

Sipas autoriteteve ekuadoriane, organizata kriminale e dyshuar se drejtohej nga Gjika kishte një strukturë piramidale me shqiptarin në krye, e ndjekur nga një “nivel menaxhimi” drejtorësh të lartë që përfshinte togerin e tij të dyshuar, shtetasin argjentinas-italian Mario Sanchez Rinaldi.

Në shkurt 2024, Sanchez Rinaldi u arrestua në Spanjë, ku rreth 70 persona dhe kompani të lidhura me çështjen janë gjithashtu nën hetim. Një avokat ekuadorian i Sánchez Rinaldit, i cili mbetet në paraburgim në Spanjë, i tha OCCRP-së se nuk ishte i autorizuar të komentonte mbi çështjen.

Për të lehtësuar dërgesat e tyre transatlantike, prokurorët ekuadorianë pretendojnë se grupi përdorte kompani legjitime eksporti, të cilat tregtonin banane dhe mallra të tjera, si mbulim për trafikun e drogës. Fitimet më pas pastroheshin përmes këtyre bizneseve ligjore si dhe blerjeve të pasurive të paluajtshme.

Bisedat Sky zbulojnë detajet mbi mënyrën se si funksiononte kjo “multinacionale” e kokainës, nga kontratat mujore me furnitorët deri te pikat specifike të parave të përdorura për të mbledhur fitimet e tyre.

Bisedat pasqyrojnë mënyrën se si grupi përballonte vështirësitë logjistike dhe riorganizohej pas ndërhyrjeve të forcave të rendit. Mbi të gjitha, ato zbulojnë çka e bënte të mundur punën e këtij operacioni: një nivel i jashtëzakonshëm aksesi në portet detare të Ekuadorit dhe volumi i madh i kontejnerëve të transportit që dërgoheshin çdo ditë në mbarë botën.

Policia, doganat dhe autoriteti portual i Ekuadorit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

“Minimumi, dy ton në muaj”

Sipas prokurorëve, rrjeti i kontrabandës e siguronte kokainën kryesisht nga laboratorë në Kolumbinë fqinje, prodhuesi më i madh në botë i bimës së kokas, gjethet e së cilës shtypen dhe pastrohen përmes proceseve kimike për të nxjerrë pluhurin e drogës.

Bisedat Sky tregojnë se Gjika udhëhoqi negociatat për të siguruar një furnizim të rregullt të lëndës narkotike, duke ndërmjetësuar kontrata për disa tonë në muaj. Kjo është një sasi e madhe duke pasur parasysh se, në atë kohë, sekuestrimet e kokainës në Ekuador rrallë kalonin një ton.

“Shok, kushëriri më tha se ke gjëra të mira,” i shkroi ai një furnitori të dyshuar në janar 2021.

“Jam i interesuar, por ajo që më frikëson pak është se nuk i njoh njerëzit. Të njoh ty dhe dukesh shumë serioz, një djalë me këmbë në tokë,” shtoi ai.

Furnitori i tha Gjikës se po menaxhonte dy “kuzhina”, një term zhargon për laboratorët ku kokaina nxirret nga gjethet e kokas, ndaj ai duhet të kishte besim për të bërë biznes me të.

Në një bisedë tjetër, Gjika përshkroi një kontratë për një “minimum” prej “6 T” me një furnitor tjetër të dyshuar në Kolumbi që tha se kishte pesë “kuzhina” në dispozicion.

Ditën tjetër, më 1 shkurt 2021, pesë burra u arrestuan në provincën ekuadoriane Los Ríos me gjysmë ton kokainë të gjetur në kamionin e tyre të ngarkesës, të ndarë në paketa 1-kilogramëshe me logon UNICO.

Pasi mësoi çfarë kishte ndodhur, Gjika i shkroi burrit që kishte ofruar të furnizonte “6 t” për ta informuar për incidentin.

Gjika fillon të ngrejë dyshime mbi arsyet e dështimit operacional, duke vënë në dukje se shoferët e dërgesës nuk kishin ndjekur orarin e tij.

Më vonë, të dy konfirmojnë më të keqen. “Malli” ishte sekuestruar.

Diskutimi që vijon tregon Gjikën duke u përpjekur të kuptojë çfarë shkoi keq dhe me çfarë pasojash do të përballej. Ai kërkon të dijë çfarë ndodhi me një individ që ata e quajnë “taksi-shoferi”, i cili nuk u arrestua. Edhe pse nuk thuhet qartë, bisedat sugjerojnë se kjo mund të përshkruajë një nga “patrulluesit” që burrat diskutojnë se dërgohen për të shoqëruar ngarkesat në një makinë tjetër.

Nuk dihet se çfarë ndodh më pas, pasi biseda përfundon me bashkëbiseduesin e Gjikës që kërkon BC1, një referencë për një pajisje tjetër të enkriptuar rivale të operuar nga kompania Number 1BC, e cila ka tërhequr klientë pas lajmit se Sky dhe firma të ngjashme ishin komprometuar.

Autoritetet në portet e Antwerp-it, Algeciras-it dhe Hamburgut u thanë gazetarëve të kontaktojnë policinë ose doganat për më shumë detaje mbi përpjekjet për të luftuar trafikun e drogës, ndërsa operatorët e porteve në Mundra, Gioia Tauro, Tanger Med dhe Roterdam nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Për t’i realizuar këto veprime, rrjeti kishte krijuar kontakte dhe informatorë brenda porteve të Ekuadorit, nga ku niseshin fillimisht kontejnerët e kontaminuar, sipas prokurorëve, të cilët i përdorin bisedat si provë se trafikantët kishin qasje në “informacione të privilegjuara” nga sistemet kompjuterike të terminaleve në Guayaquil.

Natyra e zakonshme e bisedave të tyre në Sky pasqyron infiltrimin e tyre të pandërprerë në këto porte, me burrat që diskutojnë punën e tyre në mënyrë rutinore dhe të zakonshme.

“Nuk ka problem, pavarësisht se në cilin port është, ne do ta nxjerrim, mos u shqetëso,” shkroi Gjika, duke iu referuar katër terminaleve portuale të Guayaquil-it, në një bisedë rreth rrugës detare që planifikonte të përdorte një importues.

“Zotëri, marr përgjegjësinë e plotë [për atë që ndodh] në port!!” shtoi më vonë, megjithatë paralajmëroi se nuk mund të “garantonte” asgjë nëse kishte një “rrjedhje informacioni,” ose nëse “policia më godet” në ditën e punës.

Kur u kontaktua për koment, Contecon, një nga tre terminalet e portit në dhe rreth Guayaquil-it të përmendura në biseda, tha se porti “bashkëpunon ngushtë me shtetin ekuadorian për të siguruar një tregti të sigurt dhe të mbrojtur përmes objektit tonë.” Dy portet e tjera nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Bisedat tregojnë se ky nivel aksesi mbështetej në “miq” që duket se kishin akses të drejtpërdrejtë në porte.

“Miqtë brenda janë gati të më japin kutinë për të punuar brenda një ore maksimum,” thuhet në një mesazh që Gjika mori në gusht 2020.

Ndër ata që u dënuan në Ekuador ishte një oficer policie që ishte përgjegjës për kontrollin e kontejnerëve në një port. Një oficer tjetër me të njëjtin rol u shpall në arrati në vitin 2024, ndërsa një i tretë u gjet i pafajshëm.

Aksesi i brendshëm i grupit në policinë e Ekuadorit shkoi edhe më thellë. Një oficer policie në pension i quajtur Héctor Pesántez, të cilin prokurorët e quajtën me nofkën “Glock”, u dënua si një nga figurat e larta të grupit. Në regjistrat e bisedave, ai shihet duke i dhënë Gjikës informacion të brendshëm nga policia anti-narkotikë e Ekuadorit.

Sipas aktakuzës së tij, “Glock” ishte përgjegjës për rekrutimin e të tjerëve në role mbikëqyrëse për të lehtësuar trafikun përmes porteve. Në gjykatë, ai u deklarua i pafajshëm dhe apeloi vendimin. Ai nuk iu përgjigj kërkesave të OCCRP për koment dhe ai është në pritje të vendimit për apelimin e tij.

“Kam kontaktuar miqtë,” i shkroi ai Gjikës në korrik 2020.

“Ata më thonë se tashmë ka pasur disa ndryshime stafi, madje edhe drejtori kombëtar anti-trafik është i ri. Kanë ndryshuar orarin e ditëve të pushimit.”

“Glock” më pas e këshillon Gjikën të përshtasë agjendën e tij me kohën kur “miqtë” e tyre do të jenë në detyrë:

Tregtia në lulëzim e bananeve në Ekuador, një objektiv i preferuar i kontrabandistëve sepse duhet të kalojë shpejt përmes porteve, është një nga arsyet pse është bërë një qendër kaq tërheqëse eksporti për biznesin e kokainës.

Sipas Daniel Pontón, dekan i Studimeve të Sigurisë në universitetin shtetëror të Ekuadorit, qeveria ka pasur vështirësi për të siguruar siç duhet portet e saj, të cilat kryesisht operohen nga kompani private të cilave u janë dhënë koncesione nga shteti.

“Problemi është se Ekuadori nuk ka kontroll të mjaftueshëm mbi portet. As një strategji të unifikuar, as koherente, as inteligjente. Është një boshllëk i madh; është si të kesh një person që po humbet gjak, dhe nëse nuk i vendos një turniket, ai do të vdesë,” tha ai.

Nga kompani në kompani

Bisedat e Sky prekin metoda të ndryshme që grupi përdorte për të futur kontrabandën brenda kontejnerëve të transportit. Një nga këto, të cilën autoritet  e përshkruajn si “metoda e grepit të verbër”, tregon se kontrabandistët thjesht vendosin drogën pranë ngarkesës legjitime, në vend që ta përziejnë me mallrat e ligjshme ose ta fshehin në një mënyrë më të ndërlikuar.

Ka gjithashtu shenja se grupi përdorte metoda më të sofistikuara. Në një tjetër bashkëbisedim, Gjika dhe një bashkëbisedues diskutojnë përpjekjet për të përgatitur një kontejner me një saldator dhe pak bojë. Rezultati, thotë Gjika, është se “skaneri nuk e kap, e konfirmuar absolutisht”.

Nga shkëmbimi i bisedave, duket e mundur që të dy po diskutojnë për fshehjen e kokainës në strukturën e kontejnerit, një metodë që Ministria e Brendshme e Spanjës tha se grupi filloi ta përdorte për të fshehur sasi më të vogla të drogës, pas një dërgese prej 1.1 ton që u kap nga autoritetet holandeze në vitin 2020.

Disa biseda gjithashtu i referohen drejtpërdrejt përdorimit nga grupi të asaj që ata, dhe policia e Ekuadorit, e quajnë “metoda kompani me kompani”. Kjo është kur trafikantët minimizojnë rrezikun duke kontrolluar drejtpërdrejt kompanitë e eksportit që transportojnë kokainën, dhe duke bashkëpunuar me importues të drejtuar nga bashkëpunëtorët e tyre.

Sipas të dhënave gjyqësore dhe regjistrit të biznesit të Ekuadorit, Gjika, të dënuarit ose të akuzuarit për pjesëmarrje në rrjetin e trafikut, ose të afërmit e tyre të ngushtë, zotëronin ose menaxhonin më shumë se 30 kompani në vend.

Midis tyre, tre kompani të cilat ose zotëroheshin ose administroheshin nga Gjika dhe bashkëpunëtori i tij i dyshuar Mario Sánchez Rinaldi, u pretendua nga prokurorët se kanë lehtësuar trafikun e drogës. Dy prej tyre punonin kryesisht si eksportues bananesh.

Spanja ishte gjithashtu një nyje logjistike për dërgesat e kokainës së grupit. Në një letër që kërkonte ndihmë nga autoritetet ekuadoriane, gjykata kombëtare e Spanjës pretendoi se Sánchez Rinaldi, i përshkruar si një “biznesmen i rëndësishëm” me bazë në Costa del Sol, drejtonte një grup “të fuqishëm” biznesesh import-eksporti ushqimor që i lejonte atij të “lehtësonte logjistikën” e trafikut të kokainës për palë të treta.

Biznesmeni dyshohet se ishte përgjegjës për sigurimin e hyrjes së drogës në portin spanjoll të Algeciras-it, dhe për “lehtësimin e kompanive importuese në Evropë”, thuhet në një letër që Gjykata Kombëtare e Spanjës i ka dërguar autoriteteve franceze.

Duke fituar para

Kur produkti arrin me sukses në brigjet evropiane, Gjika negocion për shitjen e tij me distributorët. Ai merr shpesh pjesë në biseda, disa prej tyre të tensionuara për çmimet, testet e cilësisë së produktit dhe planet e shpërndarjes.

“A ke mall atje lart ???” e pyeti një përdorues i Sky-t, të cilin autoritetet e Ekuadorit e përshkruan si një koordinator i mundshëm i dërgesave të kokainës së grupit në portin e Algeciras-it në Spanjë, në korrik 2020. “Më duhet në Spanjë, nuk ka asgjë.”

“Nëse i ke në Holandë, mund të kërkoj një kamion për t’i sjellë poshtë në Spanjë,” ofroi përdoruesi i Sky-t. “Më thuaj çmimin atje dhe unë do t’i sjell.”

Disa muaj më vonë, Gjika kontaktoi një bashkëpunëtor nga Ekuadori, i cili ishte dënuar për pjesëmarrje në organizatën kriminale dhe që, sipas prokurorëve, në një moment ishte zhvendosur në Spanjë. “Zotëri, si janë çmimet atje?”, e pyeti Gjika para se të vazhdonte të planifikonte veprimin e tij të radhës.

Pasi çmimet vendoseshin, shpesh pas pazareve të forta, bisedat përfshinin diskutime se si të mblidheshin fitimet përmes një rrjeti të fshehtë të dërgimit të parave cash, që dukeshin se operonin në qytete të ndryshme në mbarë botën, nga Cali në Madrid, Bruksel dhe Birmingham.

Sasia e parave që kalon nga duart shpesh është marramendëse. Në Barcelonë, autoritetet spanjolle thanë se agjentët e tyre zbuluan disa dërgesa parash të lidhura me grupin, në një rast u sekuestrua një milion euro të fshehura brenda një automjeti.

Në një bisedë tjetër, të dhjetorit 2020 në Sky, Gjika diskuton një seri transferimesh me pesos kolumbiane, me vlerë të barabartë me 2.3 milion dollarë, për t’u mbledhur në Cali.

Referencat për këto “tokens” janë të shpeshta, pasi ato i referohen një vargu numrash, zakonisht numrit serial të një kartëmonedhe dollari ose euroje, që përdoren si një lloj fjalëkalimi i ndarë me arkëtarin për të siguruar që paratë t’u dorëzohen personave të duhur.

Ndërsa ky lloj sistemi i transferimit në “treg të zi” u lejon përdoruesve të shmangin rregullat e bankave, ai ka edhe rreziqet e veta. Në një bisedë të gushtit 2020, Gjika dhe një burrë i njohur si “Inxhinieri” duket se diskutojnë detajet e një operacioni të mbledhjes së parave në Quito që nuk shkoi sipas planit.

Duke iu referuar bisedave në Sky, policia e lidhi këtë operacion me një shtetas kinez që u dënua për bashkëpunim në trafikun e drogës së grupit dhe për pastrimin e parave të tyre. Ai u deklarua i pafajshëm dhe ka apeluar vendimin. Avokatët e tij nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

Pak më shumë se një orë më vonë, “Inxhinieri”, i cili më vonë u dënua për bashkëpunim me organizatën e trafikimit, raporton se “Kinezi” kishte mungesë parash dhe se shuma e plotë nuk mund të mblidhej.

Më pas “Inxhinieri” pyet nëse mund të marrë disa nga paratë për të paguar anëtarët e ekipit të tij, dhe Gjika duket se pranon që ai mund të mbajë “100”, që sipas një raporti policor është shkurtim për 100,000 dollarë, për vete dhe ekipin e tij.

Ata dakortësohen për t’u takuar të nesërmen për një bisedë biznesi, në mënyrë që Gjika t’i tregojë “ku dhe si janë investuar paratë”.

Por kur pjesa e parave të Gjikës arrin të nesërmen, është “10” më pak se sa priste.

Kur u vu nën presion, bashkëpunëtori i Gjikës thotë se 10 mijë dollarët që mungojnë duhet të jenë humbur kur një bashkëpunëtor tjetër “u tremb” kur ndodhi shkëmbimi, pranë një “chifa” – një referencë për një restorant që shërben një bashkim të kuzhinës kineze dhe lokale.

Pasi dërguan disa mesazhe zanore, përmbajtja e të cilave nuk është e detajuar në regjistrat e bisedës, të dy burrat duket se e zgjidhën çështjen.

Kur u kontaktua për koment, një avokat i burrit të njohur si “Inxhinieri”, Julio César Lalangui Medina, theksoi se ankesa e klientit të tij është ende në shqyrtim, me një seancë të caktuar për 25 qershor 2026, dhe se ekziston një “debat i gjerë dhe i thellë ligjor në nivel ndërkombëtar lidhur me vlefshmërinë, autenticitetin, integritetin, gjurmueshmërinë dhe ligjshmërinë” e përdorimit të mesazheve Sky si prova.

Po i ndryshojmë të gjitha

Që në shtator 2020, Gjika duket se kishte marrë vesh se pajisjet Sky që po përdornin nuk ishin më të sigurta.

“Po i ndryshojmë të gjitha, sepse shumë njerëz thonë se Sky nuk është më i besueshëm,” i shkroi ai një bashkëpunëtori, duke e nxitur të blinte një nga telefonat BC1.

Por burrat vazhduan ta përdornin Sky për gati edhe gjashtë muaj të tjerë, dhe mesazhi i fundit në dosjet e prokurorëve daton në mars 2021.

Përdorimi i Sky-t nga ana e tyre do të çonte përfundimisht në zbërthimin e rrjetit ekuadorian, megjithatë mbetet e paqartë nëse njeriu që prokurorët e përshkruajnë si udhëheqësin e tij do të përballet me drejtësinë. Pavarësisht se është arrestuar gati një vit më parë, Emiratet e Bashkuara Arabe ende nuk e kanë ekstraduar atë. (Ministritë e Punëve të Jashtme dhe të Drejtësisë të vendit nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.)

Ndërkohë, kokaina dhe gjakderdhja që e shoqëron vazhdon të rritet në nivele rekord në Ekuador.

Rivera vuri në dukje se ndërsa trafikantët ndërkombëtarë po rrisin tregtinë e kokainës në vend, bandat lokale vazhdojnë të përplasen për një pjesë të fitimeve.

“Financimi që ata kanë sjellë dhe interesi për të lëvizur më shumë kokainë përmes Ekuadorit gjeneron konflikt midis grupeve lokale, dhe këto konflikte zakonisht shfaqen si luftëra për kontroll territorial,” tha ai.

“Prandaj, nuk është vetë prania e tyre, por financimi që ata kanë sjellë për lëvizjen e kokainës ai që në mënyrë indirekte gjeneron më shumë dhunë.”

 

Marrë nga Shteg.org

Ju gjithashtu mund të pëlqeni

Prangoset Marcel Liçaj, korrier i drogës në vendet e BE

Spektakël televiziv i Grida Dumës për të larë figurën e Mirlinda Karçanajt

Konsensusi i rremë europian dhe pazari i madh i politikës shqiptare

Trump përfundon vizitën dyditore në Kinë

Nga Veliaj tek Beqaj, a po hapet rruga e lirimit të zyrtarëve të lartë nga qelitë?

Share This Article
Facebook Twitter Whatsapp Whatsapp LinkedIn Telegram Kopjo lidhjen Print
Share
Artikulli i mëparshëm Prangoset Marcel Liçaj, korrier i drogës në vendet e BE

Na ndiqni në rrjetet sociale

FacebookLike
InstagramFollow
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image
Ad imageAd image

Më të fundit

“Gryka e Xhehenemit” në Sazan, rrezik për resortin e Jared Kushner
Analize Kryesore Opinion Sociale Zhvillim 15 Maj, 2026
Shqipëria dhe BE përballë një krize demografike
Analize Kryesore Sociale Zhvillim 15 Maj, 2026
Ligji i Putinit që “ngjall frikë” në Evropë
Analize Bota Fokus Opinion Zhvillim 15 Maj, 2026
Paqja Fiskale hyn në zbatim, fshihen borxhet e prapambetura
Analize Finance Kryesore Sociale Zhvillim 15 Maj, 2026
//

Kthjell është revista juaj online e lajmeve që ofron përmbajtje tërheqëse dhe informuese për çdo interes. Qëndroni të përditësuar me zhvillimet më të fundit në teknologji dhe shkencë, merrni frymëzim për dizajnin dhe dekorimin e ambienteve, dhe përmirësoni jetën tuaj me këshilla të ekspertëve për mirëqenien personale. Zhytuni në botën e pasur të artit dhe kulturës, eksploroni destinacione të reja udhëtimi dhe mësoni shumë më tepër. Kthjell është porta juaj për të zbuluar, për t’u informuar dhe për t’u frymëzuar çdo ditë. Bashkohuni me ne në këtë udhëtim të vazhdueshëm eksplorimi dhe zbulimi.

KthjellKthjell
Follow US
© 2024 Kthjell. All Rights Reserved.