Avokati i Popullit ka ngritur alarmin se problemet me regjistrimin e pronave, kompensimin e ish-pronarëve dhe legalizimet vijojnë të mbeten ndër çështjet më problematike të administratës publike në Shqipëri, duke cenuar sigurinë juridike dhe të drejtën e qytetarëve për një proces të rregullt ligjor.
Sipas raportit për vitin 2025, problematikat në regjistrimin e pronës vazhdojnë të jenë të përsëritura. Qytetarët janë ankuar për moslëshim të dokumentacionit të pronësisë, mosregjistrim të titujve të pronësisë, moskorrigjim të të dhënave kadastrale dhe mungesë informacioni nga drejtoritë vendore të Agjencia Shtetërore e Kadastrës.
Raporti thekson gjithashtu se qytetarët shpesh detyrohen të kryejnë aplikime të përsëritura dhe të parapaguajnë sërish për shërbime që nuk ofrohen brenda afateve ligjore, edhe kur vonesat shkaktohen nga vetë administrata. Ankesa janë regjistruar edhe për moskthimin e tarifave në rastet kur shërbimi nuk jepet, si dhe për ofrimin e shërbimeve vetëm përmes platformës e-Albania, pa alternativa të tjera.
Avokati i Popullit vlerëson se krijimi i ASHK-së ka realizuar formalizimin dhe centralizimin e proceseve, por nuk ka sjellë ende efektivitetin e pritshëm në zgjidhjen e problematikave të trashëguara.
Një nga shqetësimet më të mëdha mbetet fakti që 27,023 vendime të gjykatave dhe të Agjencisë së Trajtimit të Pronës për njohjen e pronës me të drejtë kompensimi vijojnë të mos jenë regjistruar në regjistrin e pasurive të paluajtshme. Raporti paralajmëron se edhe procesi i regjistrimit fillestar dhe digjitalizimit të plotë të regjistrave rrezikon të mos përfundojë deri në afatin ligjor të 31 dhjetorit 2028.
Një rast i trajtuar nga Avokati i Popullit lidhet me tre familje nga Dhërmiu i Bashkisë Himarë, të cilat pretendonin trajtim të padrejtë me tokë sipas ligjit 7501. Sipas raportit, dosjet e tyre ishin përcjellë që në shkurt 2021 nga Bashkia Himarë te Drejtoria e Përgjithshme e ASHK-së dhe DVASHK Vlorë, por kjo e fundit nuk kishte kryer veprimet për kalimin në pronësi të tokës bujqësore. Edhe pas rekomandimit të Avokatit të Popullit për marrjen e masave të menjëhershme, deri në hartimin e raportit nuk ishte kthyer përgjigje.
Problematika serioze evidentohen edhe në procesin e kompensimit të ish-pronarëve. Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit trajtoi 22 raste që lidhen me veprimtarinë e Agjencia e Trajtimit të Pronave. Institucioni evidenton vonesa të pajustifikuara në përfundimin e kompensimit, mosveprim për pagesat në rastet e mbivendosjeve të pjesshme dhe zvarritje të proceseve edhe për pjesët e pronës që nuk janë në konflikt.
Raporti nënvizon se fondi financiar prej 50 miliardë lekësh, i parashikuar për kompensimin e ish-pronarëve nga ligji nr. 133/2015, nuk u realizua brenda periudhës 10-vjeçare të parashikuar fillimisht, ndërsa afati është shtyrë tashmë deri në vitin 2028 me ligjin nr. 12/2025.
Sipas të dhënave të ATP-së, nga 2,570 kërkesa për kompensim të administruara deri në fund të vitit 2024, ishin ekzekutuar vetëm 870. Ndërkohë, nga 27,023 vendime përfundimtare kompensimi, vetëm 20,532 kishin kaluar procesin e vlerësimit financiar, ndërsa 6,491 mbeteshin ende të pavlerësuara.
Avokati i Popullit paralajmëron se ritmi i ngadaltë i kompensimit dhe shtyrja e afateve deri në vitet 2027-2028 ngrenë dyshime serioze mbi mundësinë reale të përfundimit të procesit brenda afateve të reja.
Edhe procesi i legalizimeve vijon të mbetet problematik. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 86 ankesa të reja dhe janë mbartur 46 ankesa nga viti paraardhës. Shqyrtimi është përfunduar vetëm për 62 raste.
Raporti evidenton se në shumë raste procedurat administrative për legalizimin nuk kanë avancuar as pas shumë vitesh. Janë konstatuar aplikime që datojnë që nga viti 2005, për të cilat drejtoritë vendore të ASHK-së nuk kanë kryer asnjë fazë të qenësishme të procedurës dhe nuk kanë dalë me vendim përfundimtar.
Sipas Avokatit të Popullit, mungesa e komunikimit me qytetarët dhe mosinformimi mbi fazat e trajtimit të aplikimeve cenojnë drejtpërdrejt parimin e procesit të rregullt ligjor dhe sigurinë juridike.
Institucioni evidenton gjithashtu problematika me mosrespektimin e afatit 60-ditor të parashikuar nga VKM nr. 1040/2020 për marrjen e vendimit mbi legalizimin ose jo të një ndërtimi pa leje. Për këtë arsye, gjatë vitit 2025 Avokati i Popullit nisi hetime administrative dhe inspektime në DVASHK Tirana Veri dhe DVASHK Durrës-Kavajë-Krujë.
Një tjetër problematikë sistemike lidhet me mosshfaqjen në sistemin elektronik të ASHK-së të aplikimeve për legalizim të paraqitura nga qytetarët. Nga hetimi rezultoi se drejtoritë vendore nuk kishin akses për hedhjen e aplikimeve në sistem dhe qytetarët nuk njoftoheshin për këto probleme.
Gjatë vitit 2025, Avokati i Popullit dërgoi 12 rekomandime individuale për përshpejtimin e procedurave të legalizimit, forcimin e kontrollit administrativ dhe informimin e qytetarëve mbi ecurinë e aplikimeve të tyre.
Marrë nga Ekofin.al