Shqipëria i hap rrugën përdorimit të lekut digjital. Mes debateve dhe tensioneve në Kuvend, është miratuar ligji i ri për Bankën e Shqipërisë, i cili parashikon edhe të drejtën e emetimit të monedhës kombëtare në format digjital. Ky ndryshim, që ka kaluar pa marrë shumë vëmendje publike, i jep Bankës së Shqipërisë të drejtën ekskluzive për të emetuar jo vetëm kartëmonedha dhe monedha metalike, por edhe monedhën digjitale “Lek”.
Konkretisht, në nenin 17 të ligjit, që lidhet me të drejtën ekskluzive të emetimit, përcaktohet se Banka e Shqipërisë mund të emetojë edhe lekun digjital. Ndërsa neni 18 parashikon që Banka e Shqipërisë të hartojë programet e emetimit dhe të përcaktojë sasinë e nevojshme të kartëmonedhave, monedhave metalike dhe monedhës digjitale.
Kjo do të thotë se krijohet baza ligjore për emetimin e një forme digjitale të monedhës shqiptare. Megjithatë, miratimi i këtij ndryshimi nuk nënkupton se leku digjital ka nisur të përdoret apo se do të zëvendësojë paratë fizike. Për këtë ndryshim ka reaguar edhe drejtori i INFOÇIP, Gerti Shella i cili përmes një postimi në Facebook ka tërhequr vëmendjen për mënyrën se si është miratuar ligji.
“Me ligjin e ri për Bankën e Shqipërisë, të kaluar sot në rrëmujë e sipër, Banka e Shqipërisë ka të drejtën të emetojë në format dixhital monedhën ‘LEK’”, shkruan Shella.
Ai ka publikuar edhe nenet 17 dhe 18 të ligjit, ku parashikohet shprehimisht emetimi i monedhës digjitale.
Marrë nga Gazeta “SOT”