Bytedance, shoqëria mëmë e aplikacionit për ndarjen e videove TikTok, humbi apelin kundër vendimit të Komisionit Europian për ta konsideruar një “gatekeeper” në bazë të rregullave të reja të konkurrencës, deklaroi Gjykata në një vendim të sotëm (17 korrik).
Në nëntor të vitit të kaluar, TikTok iu bashkua Meta-s për të apeluar kundër përcaktimit të statusit të “gatekeeper”, sipas Digital Markets Act (DMA – Akti i Tregjeve Dixhitale), – një ligj i BE-së që vendos rregulla më të ashpra për kompanitë e teknologjisë dhe ua bën më të lehtë përdoruesve të lëvizin nga një shërbim te tjetri
Në atë kohë, TikTok deklaroi se përcaktimi “rrezikon të minojë objektivin e deklaruar nga DMA, duke mbrojtur ‘gatekeeper’ aktualë nga konkurrentët më të rinj si TikTok”.
Gjykata deklaroi sot se TikTok duhet të konsiderohet një “gatekeeper” – një platformë e madhe online me një pjesë tregu të konsiderueshme – pasi përmbush pragjet sasiore të parashikuara nga DMA në lidhje me vlerën e tij në tregun global, numrin e përdoruesve të TikTok brenda Bashkimit Europian dhe numrin e viteve gjatë të cilave është arritur ky prag përdoruesish.
Bytedance kishte argumentuar se fakti që vlera e tij e tregut global i atribuohej kryesisht aktiviteteve në Kinë, tregonte se ndikimi në tregun e brendshëm të BE nuk ishte i konsiderueshëm dhe rrjedhimisht qarkullimi i tij në BE ishte i ulët, por gjykata i hodhi poshtë këto argumente.
Komisioni kishte të drejtën të konsideronte se vlera e lartë e tregut global të Bytedance, së bashku me numrin e madh të përdoruesve të TikTok në BE, pasqyronte kapacitetin e tij financiar dhe potencialin për të fituar para nga këta përdorues.
Bytedance argumentoi ndër të tjera se është një sfidues në treg dhe se pozicioni i tij është kundërshtuar nga konkurrentë si Meta dhe Alphabet, të cilat kanë prezantuar shërbime të reja si Reels dhe Shorts, që duke imituar karakteristikat e TikTok, kanë regjistruar rritje të shpejtë.
Gjykata deklaroi se, edhe pse TikTok ishte me të vërtetë një sfidues në 2018, e konsolidoi me shpejtësi pozicionin e tij dhe madje e forcoi në vitet e mëtejshme.
Në shtator të vitit të kaluar, Komisioni identifikoi 22 shërbime “gatekeeper”, që drejtohen nga gjashtë kompani teknologjike – Microsoft, Apple, Alphabet, Amazon, Meta dhe ByteDance.
Në maj, identifikoi edhe Booking.com si “gatekeeper” e shtatë, e cila ka gjashtë muaj kohë – deri në nëntor – për të respektuar rregullat.
Në mars, Komisioni nisi hetimet për mospërputhje ndaj Apple, Meta dhe Alphabet (shoqëria mëmë e Google) në lidhje me DMA.
“Jemi të zhgënjyer nga vendimi. TikTok është një platformë sfiduese, që garanton konkurrencë të rëndësishme për lojtarët aktualë. Ndërsa tani do të vlerësojmë hapat e ardhshëm, ne kemi marrë masa për të përmbushur detyrimet përkatëse të DMA”, tha një zëdhënës i TikTok.