Ministria e Trashëgimisë Kulturore dhe e Turizmit në Iran ka njoftuar se të paktën 56 muze dhe monumente historike kanë pësuar dëme të konsiderueshme deri në ditën e 15-të të luftës me SHBA-në dhe Izraelin.
Provinca e Teheranit është më e prekur, me 19 monumente të dëmtuara, përfshirë Pallatin Golestan, një trashëgimi botërore e UNESCO-s dhe ish-rezidencë mbretërore e dinastisë Qajar.
Dëme të konsiderueshme janë raportuar edhe në Isfahan, ku Sheshi Naqsh-e Jahan, një ansambël i shekullit të 17-të i rrethuar nga xhami, pallate dhe tregje historike, ka pësuar goditje. Në Bushehr, në Gjirin Persik, shtëpi tradicionale në lagjen historike të portit të Sirafit janë dëmtuar, duke rrezikuar ndërtesa të vjetra një deri dy shekuj.
UNESCO ka shprehur shqetësim të fortë për pasojat e konfliktit mbi trashëgiminë kulturore në Iran, Izrael dhe Liban. Organizata paralajmëroi se qindra monumente të tjera në rajon janë në rrezik për shkak të sulmeve ajrore, raketave dhe përdorimit të dronëve.
Sipas Konventës së Hagës të vitit 1954 dhe Rezolutës 2347 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, sulmet ndaj vendeve të trashëgimisë kulturore përbëjnë shkelje të së drejtës ndërkombëtare. Konventa, e nënshkruar nga SHBA, Izraeli dhe Irani, parashikon mekanizma për hetimin e shkeljeve, ndërsa Rezoluta e vitit 2017 dënon shkatërrimin e paligjshëm të monumenteve dhe vendeve fetare.
Marrë nga The Guardian