Pas 20 minutash ka përfunduar seanca plenare në Kuvendin e Shqipërisë.
Ashtu siç u paralajmërua edhe nga kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deputetët e opozitës kanë vijuar me aksionin opozitar. Me pankarta me shkrime të ndryshme në duar, deputetët demokratë bllokuan foltoren.
Seanca u drejtua nga nënkryetari i Kuvendit, Bledi Çuçi i cili vijoi me rendin e ditës dhe diskutimet në kuadër të javës së gjelbërt. Teksa deputet e maxhorancë po raportonin në kuadër të javës së gjelbërt, depytetët e opozitës vijuan me thirrjet e tyre teksa mbanin në duar pankarta.
Pas disa minutash Çuçi mbylli seancën dhe deputetët u larguan nga ambientet e Kuvendit. Edhe seanca e fundit plenare u shoqërua me tensione, pasi opozita vijoi aksionin e saj me deputetët që u përplasën me Gardën jashtë ambienteve të Kuvendit si dhe me forcat e Policisë pas mbërritjes së grupit të protestuesve që ndodheshin para Bashkisë së Tiranës. Nga këto përplasje pati dhe akuza nga ana e deputetëve të opozitës për kërcënim me armë nga punonjësit e policisë, që mbërritën para oborrit të Kuvendit.