Nga Hugo Bachega
Që kur Izraeli nisi sulmet ndaj Iranit të premten, një pyetje kyçe ka mbetur pa përgjigje: cili është qëllimi përfundimtar?
Zyrtarët ushtarakë izraelitë thonë se kjo ishte një goditje parandaluese, për të dëmtuar programin bërthamor të Iranit, pasi sipas tyre Irani po i afrohej “pikës pa kthim”.
Ata nuk kanë ofruar asnjë provë për këtë. Në fakt, vlerësimet më të fundit të komunitetit ndërkombëtar, përfshirë ato nga SHBA, tregojnë se Irani nuk kishte marrë një vendim për të armatosur programin e tij bërthamor, diçka që e kishte braktisur që në vitin 2003.
Irani, anëtar i Traktatit për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), thotë se ka të drejtën e një programi bërthamor paqësor dhe ka mohuar vazhdimisht se synon të zotërojë armë bërthamore.
Izraeli, i cili nuk është anëtar i NPT-së dhe besohet gjerësisht se ka armë bërthamore, e ka mohuar gjithmonë këtë pretendim.
Në prag të fushatës së Izraelit, agjencia globale për mbikëqyrjen bërthamore, Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), deklaroi se Irani kishte shkelur për herë të parë në dy dekada detyrimet e tij për mos-përhapjen e armëve bërthamore.
Kishte shqetësim të veçantë për rezervat e uraniumit të pasuruar të Iranit, i cili mund të përdoret si për karburantin e reaktorëve, po ashtu edhe për armët bërthamore.
Agjencia gjithashtu tha se Irani kishte sasi uraniumi të pasuruar deri në 60% pastërti, afër shkallës ushtarake, që mund të përdoret për prodhimin e nëntë bombave bërthamore.
Izraeli ka sulmuar objekte kyçe bërthamore iraniane, përfshirë ato në Natanz dhe Isfahan, si dhe infrastrukturë ushtarake dhe energjetike, ndërtesa qeveritare dhe zona banimi.
Por nuk ka goditur Fordon, ku ndodhet një objekt i madh, i vendosur nën male. Izraelitët nuk kanë llojin e bombës që nevojitet për këtë sulm – por SHBA-ja e ka.
Irani thotë se ky është një agresion dhe se ka të drejtën për t’u mbrojtur.
Nëse amerikanët vendosin të përfshihen drejtpërdrejt në luftë, kjo mund të shkaktojë një konflikt më të gjerë, pasi Irani ka kërcënuar se do të godasë interesat ushtarake amerikane në rajon – dhe proxy-t e tij në rajon, përfshirë Irakun dhe Jemenin, mund të bashkohen në përgjigje.
Marrë nga BBC