Problemi me pagat në sistemin e drejtësisë ka sjellë bojkotin e parë nga administrata gjyqësore. Punonjësit dhe sekretarët e Dhomës Civile të Gjykatës së Tiranës kanë bllokuar shërbimet, në pritje të pagave të muajit gusht dhe një sqarimi për situatën.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, administrata ka njoftuar kryetarin e gjykatës, ndërsa punonjësve u është bërë me dije se një qëndrim pritet pas mbledhjes së kryetarëve të gjykatave, që zhvillohet sot në orën 15:00 në Gjykatën e Lartë.
Ndërkohë, për situatën e pagave do të zhvillohet një takim edhe në sistemin e prokurorisë. Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela, ka thirrur drejtuesit e prokurorive të rretheve, Shoqatën e Prokurorëve dhe anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Takimi do të zhvillohet pa praninë e mediave.
Në mungesë të një zgjidhjeje ligjore, KLGJ dhe KLP përcaktuan një pagë të re referuese prej 222 mijë e 425 lekësh, nga 156 mijë e 800 lekë, plus shtesën prej 14 mijë lekësh për nivelin e kualifikimit.
Ministria e Financave nuk ekzekutoi listëpagesat me rritjen e re, duke argumentuar se përcaktimi i formulës është kompetencë e Kuvendit.
Për pasojë, pagat e gushtit nuk janë ekzekutuar për gjyqtarë, prokurorë dhe një pjesë të administratës së gjykatave e prokurorive.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se “dera e Thesarit të Shtetit” nuk mund të hapet me forcë, ndërsa ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, ka paralajmëruar se ngërçi pritet të zgjidhet në Kuvend me nisjen e sesionit të ri parlamentar.
Marrë nga VoxNews.al