Nga Jason D. Greenblatt
Zyrtarët evropianë të sigurisë tani po përcjellin një mesazh që do të kishte qenë i paimagjinueshëm vetëm një dekadë më parë: bëhuni gati për luftë. Siç raportoi së fundmi The Wall Street Journal, qeveritë në mbarë Evropën po i paralajmërojnë qytetarët të përgatiten për mundësinë e një konflikti me Rusinë. Ky moment është tronditës, por i vonuar prej kohësh. Ai nxjerr në pah një të vërtetë të vështirë të cilën Evropa e ka shmangur për vite me radhë: dobësia e kontinentit nuk është thjesht rezultat i luftës në Ukrainë. Ajo është pasojë e vetëkënaqësisë strategjike, shpërndarjes së gabuar fiskale dhe supozimit të pamatur se Shtetet e Bashkuara do të paguajnë gjithmonë faturën.
Siguria e Evropës, para së gjithash, duhet të jetë përgjegjësi e vetë Evropës.
Udhëheqësit evropianë duhej ta kishin nxjerrë këtë mësim që në mandatin e parë të Trumpit. Në vend të kësaj, shumë prej tyre e lexuan gabimisht vendosmërinë e tij dhe supozuan se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të garantojnë sigurinë evropiane, pavarësisht zgjedhjeve të Evropës. Ky gabim doli të jetë i kushtueshëm.
Disa argumentojnë se Evropa e ka “fituar” mbrojtjen e vazhdueshme amerikane duke dislokuar trupa në Afganistan, pas 11 shtatorit, dhe duke ndihmuar misionet amerikane jashtë vendit. Këto përpjekje ishin të rëndësishme, por kurrë nuk kishin për qëllim të zëvendësonin investimin në mbrojtjen territoriale të Evropës. Solidariteti jashtë vendit nuk e justifikon neglizhencën në shtëpi.
Ky riorientim duhej të kishte ndodhur prej kohësh.
Për dekada, qeveritë evropiane e trajtuan mbrojtjen amerikane si një të drejtë, jo si partneritet. Ndërsa taksapaguesit amerikanë financonin parandalimin, shumë kryeqytete evropiane i dhanë përparësi programeve të gjera sociale, pensionimeve të parakohshme dhe politikave të lejueshme të emigracionit – në vend të shpenzimeve për mbrojtjen. Rehatia politike u zgjodh mbi përgjegjësinë strategjike, me supozimin se Amerika gjithmonë do ta mbulonte diferencën.
Mosmarrëveshjet e fundit mbi asetet e ngrira ruse dhe financimi i Ukrainës e bëjnë edhe më të qartë dilemën e Evropës. Udhëheqësit evropianë ranë dakord t’i sigurojnë Ukrainës një kredi prej 90 miliardë eurosh – të mbështetur nga buxheti i Bashkimit Evropian (BE) – për vitet 2026 dhe 2027. Ata e arritën këtë pasi dështuan të pajtoheshin për planin e tyre të preferuar për përdorimin e rreth 210 miliardë eurove të asete shtetërore ruse, të ngrira si kolateral. Ky propozim u rrëzua sepse qeveritë – të udhëhequra nga Belgjika, ku ndodhen shumica e aseteve – kishin frikë nga një hakmarrje ligjore dhe përgjegjësi nëse Moska do të padiste. Hezitimi, përçarjet dhe mbështetja në huamarrjen e garantuar nga buxheti, tregojnë se sa e vështirë është vendimmarrja evropiane – edhe në një moment ekzistencial në vetë kontinentin e Evropës.
Shtetet e Bashkuara mund dhe duhet të qëndrojnë përkrah Evropës, kur Evropa ngrihet për veten e saj. Por, fuqia amerikane duhet të plotësojë mbrojtjen evropiane që është mirë e financuar – jo t’i zëvendësojë ato. Neni 5 i NATO-s është angazhim i ndërsjellë për mbrojtje, jo një subvencion i përhershëm për qeveritë të cilat nuk janë të gatshme të investojnë në forcën ushtarake që e bën të besueshëm Nenin 5 të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara përballen me nevoja urgjente në vend, përfshirë infrastrukturën e vjetruar, rritjen e kostove të kujdesit shëndetësor dhe presionet kufitare. T’u kërkosh familjeve amerikane të mbajnë barrën e mbrojtjes së Evropës, kur Evropa zotëron pasurinë, popullsinë dhe bazën industriale për t’u mbrojtur vetë, nuk është as e drejtë dhe as e qëndrueshme.
Dhe, Evropa është e aftë. Me një nga ekonomitë më të mëdha në botë, Evropa ka burimet për t’u mbrojtur – nëse zgjedh ta bëjë këtë. Ajo që ka munguar nuk është kapaciteti, por vullneti.
Nëse Evropa beson se Rusia është një kërcënim real, Evropa duhet të veprojë në përputhje me këtë besim. Shpenzimet për mbrojtjen dhe parandalimi i besueshëm nuk mund të varen nga Uashingtoni. Dhe, këto përpjekje duhet të financohen nga Evropa – jo nga taksapaguesit amerikanë. Shtëpia e Bardhë dhe përfaqësuesit e saj po kryejnë pjesën e vet, duke balancuar mbështetjen për Ukrainën me realitetet e fuqisë ruse. Por, ky është para së gjithash problemi i Evropës, jo i Uashingtonit për ta zgjidhur.
Shtetet e Bashkuara mund të shërbejnë si mbështetje e fundit. Evropa duhet të jetë vija e parë.
Evropa gëzoi dividendin e paqes, për dekada të tëra. Tani duhet të paguajë primin e sigurisë.
Marrë nga Newsweek