Në mënyrë simbolike, pikërisht më 4 nëntor të këtij viti nis tani një përballje e vonuar me një nga pjesët më delikate të kësaj të kaluare: qeveria e Peter Magyarit hap të ashtuquajturat “dosje të agjentëve”, regjistra me emrat e “personave të rrjetit”, pra të njerëzve që Sigurimi i Shtetit hungarez gjatë sundimit komunist i kishte të regjistruar si informatorë. Shumica e tyre ishin në dijeni për këtë, por disa rezultojnë të jenë regjistruar pa dijeninë e tyre ose pa hartuar ndonjëherë raporte.
Hapja e “dosjeve të agjentëve” ishte një nga premtimet elektorale të Magyarit dhe partisë së tij Tisza. Fakti që dokumentet tani do të jenë vërtet të hapura për publikun përbën një ngjarje historike. Për më shumë se tri dekada e gjysmë, politika dhe opinioni publik në Hungarikanë debatuar se si duhet trajtuar kjo pjesë e arkivave. Me hapjen e tyre, qeveria e Magyarit nxit tani edhe një debat mbi fajin dhe përgjegjësinë.
Vetë kryeministri shkroi të shtunën e kaluar (31.10.2026) në Facebook: “Po përmbushim një nga premtimet më të rëndësishme të Tiszas dhe më 4 nëntor do të publikojmë dosjet e agjentëve të diktaturës socialiste. Është një çështje e vonuar, e vështirë dhe e ndjeshme, që do të prekë shumë familje. Por pa këtë nuk mund të ketë ndryshim të vërtetë të sistemit.”
Fidesz votoi kundër më shumë se 30 herë
Që në periudhën e ndryshimeve politike të viteve 1989/90 dhe më pas gjatë dekadave që pasuan, aktivistë të shumtë për të drejtat civile dhe parti më të vogla hungareze kërkuan vazhdimisht hapjen e dosjeve të agjentëve. Fillimisht ishte kryeministri i parë postkomunist i Hungarisë, konservatori Jozsef Antall, ai që kundërshtoi një hap të tillë.
Më vonë hapjen e dosjeve e bllokuan socialistët, të dalë nga ish-komunistët e periudhës së tranzicionit, si edhe, me këmbëngulje të veçantë, partia Fidesz e Viktor Orbanit. Sipas një përllogaritjeje të portalit Telex, Fidesz ka votuar më shumë se 30 herë kundër hapjes së tyre në parlament që prej vitit 2010.
Megjithatë, hapja e pjesshme e arkivave kishte nisur që në vitet 1990. Në vitin 1994, për shembull, parlamenti hungarez miratoi një “ligj për agjentët”. Ai i detyronte anëtarët e qeverisë, deputetët dhe disa kategori punonjësish të administratës publike t’i nënshtroheshin verifikimit për të përcaktuar nëse kishin bashkëpunuar në të kaluarën me Sigurimin e Shtetit.
Nga viti 1997 edhe qytetarët mund të shihnin dosjet e tyre. Fillimisht ata nuk mund të mësonin emrat e informatorëve, ndërsa nga viti 2003 kjo mundësi u zgjerua disi.
Hapje selektive e dosjeve
Ligji përkatës përmbante dispozita me hapësirë të gjerë interpretimi, të cilat u mundësonin institucioneve shtetërore, si Ministrisë së Brendshme, të pengonin dorëzimin e dosjeve të Sigurimit të Shtetit te institucioni hungarez përgjegjës për hapjen e tyre, Arkivi Historik i Shërbimeve të Sigurimit të Shtetit të Hungarisë (ABTL), për shembull kur pretendohej se publikimi mund të cënonte sigurinë kombëtare.
Hapja selektive e dosjeve jo vetëm që pengoi shoqërinë hungareze të mësonte të gjithë të vërtetën për veprimtarinë e Sigurimit të Shtetit. Ajo krijoi gjithashtu mundësinë që dosjet të përdoreshin për lojëra partiake dhe politike, për shembull duke i përcjellë publikut informacione komprometuese për politikanë të caktuar.
Një rast i tillë ishte ai i kryeministrit socialist Peter Medgyessy. Në vitin 2002, gazeta Magyar Nemzet, e afërt me Fideszin, zbuloi se ai kishte qenë punonjës me kohë të plotë i kundërzbulimit të regjimit të dikurshëm komunist.
Një publikim me potencial shpërthyes
Qeveria e Peter Magyarit synon tani t’i japë fund kësaj mënyre të trajtimit të së kaluarës së Sigurimit të Shtetit. Duke filluar nga 4 nëntori, në internet do të publikohen databaza me emrat e informatorëve.
Mes tyre ndodhet edhe koleksioni i të ashtuquajturve “kartonë të gjashtë”, skeda ku shënoheshin të dhënat më të rëndësishme të një “personi të rrjetit”.
Do të publikohen edhe regjistra të tjerë me të dhëna për informatorët. Mes tyre janë të ashtuquajturat “dosje B”, një nga koleksionet më të mëdha të të dhënave për personat e rekrutuar, të cilat pritet të bëhen publike deri në fund të shkurtit 2027.
Gjithashtu janë kufizuar më fort mundësitë që parashikonte ligji i vjetër për mbajtjen sekret të dokumenteve. Për këtë arsye, në të ardhmen pritet që dukshëm më shumë dosje se deri tani të vihen lirisht në dispozicion për të interesuarit.
Publikimi bart potencial të madh shpërthyes si në aspektin politik, ashtu edhe në atë shoqëror. Në total, këto databaza mund të përmbajnë informacione për deri në 60.000 nga rreth 150.000 personat që vlerësohet se kanë qenë dikur informatorë të Sigurimit të Shtetit hungarez.
Megjithatë, drejtori i ABTL-së, Gergö Bendeguz Cseh, paralajmëroi të dielën (1.11.2026) në një intervistë për Inforadio: “Nuk duhet besuar gjithçka që pretendojnë organet e Sigurimit të Shtetit dhe dosjet e tyre.”
Sipas tij, në shumë raste dokumentet janë të paplota dhe jo gjithmonë të besueshme, ndërsa shumë dosje janë asgjësuar.
Historiani: Hungaria ka nevojë për këto debate
Disa vëzhgues i shohin me skepticizëm publikimet e tanishme. Historiani Janos M. Rainer, ekspert i historisë së diktaturës komuniste në Hungari, i tha portalit Telex se hapja e dosjeve të agjentëve do të kishte pasur një funksion të rëndësishëm menjëherë pas përfundimit të diktaturës. Tani, sipas tij, bëhet fjalë më shumë për një gjest simbolik.
Historiani Krisztian Ungvary, i cili ndoshta më shumë se kushdo tjetër në Hungari ka hulumtuar arkivat e Sigurimit të Shtetit, e sheh pozitivisht hapjen e regjistrave me emrat e informatorëve.
Ai thotë për DW se kjo u jep historianëve mundësinë të shtrojnë pyetje të reja dhe shoqërisë të zhvillojë debate të reja.
Sipas tij, Hungaria ka nevojë për debate të tilla. “Gënjeshtrat shoqërore përfundojnë në çdo rast duke krijuar një marrëdhënie të çrregulluar me politikën”, thotë Ungvary. “Çmimi për këtë ishin pikërisht 16 vitet e qeverisjes së Fideszit.”
Ungvary mbështet gjithashtu një proces lustracioni, pra vendosjen e kufizimeve që ish-punonjësit e Sigurimit të Shtetit të mos mund të ushtrojnë pa kufizime poste dhe funksione të caktuara publike, edhe pse, pas më shumë se tri dekadash, një masë e tillë do të prekte vetëm pak persona, thotë historiani.
Një rregullore e tillë për lustracionin aktualisht nuk po diskutohet në nivel qeveritar. Megjithatë, për Peter Magyarin, hapja e dosjeve të agjentëve ka edhe një logjikë të vetën politike të përballjes me të kaluarën dhe duket se është një çështje me rëndësi personale për të.
Vitet e fundit kjo temë ka qenë vetëm rrallë në krye të agjendës së debatit publik në Hungari. Megjithatë, Magyar e shndërroi atë në një premtim elektoral. Kjo mund të lidhet me faktin se ai i kushton rëndësi të madhe historisë, është formuar në një frymë antikomuniste dhe e konsideron përballjen me të kaluarën, veçanërisht me vitet e sistemit të Orbanit,si një nga temat e tij kryesore.
Kur parlamenti ndryshoi ligjin për dosjet në mes të shtatorit, ai shkroi në Facebook: “Me 36 vjet vonesë, parlamenti hungarez vendosi sot, me nismën e Tiszas, publikimin e dosjeve të agjentëve. Fidesz nuk e mbështeti propozimin. Pse vallë?”
Ky ishte një aludim ndaj faktit se Fidesz zyrtarisht konsiderohet parti antikomuniste, por në radhët e saj dhe në rrethin e Orbanit ka shumë figura të njohura që kanë qenë anëtarë të Partisë Socialiste të Punëtorëve të Hungarisë ose bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit.
Më i njohuri ndër këta të fundit është Jozsef Horvath, dikur punonjës me kohë të plotë i sektorit III/III, njësisë së Sigurimit të Shtetit hungarez që ishte përgjegjëse për luftimin e opozitës së brendshme.
Nën Orbanin, Horvath bëri një karrierë të shpejtë si oficer i shërbimeve sekrete dhe këshilltar për çështjet e sigurisë. Në vjeshtën e vitit 2024 ai, në njëfarë mënyre, iu rikthye rrënjëve të tij dhe u bë drejtor kërkimor në të ashtuquajturën Zyrë për Mbrojtjen e Sovranitetit, një institucion që ekspozonte të ashtuquajturit armiq të brendshëm të sistemit të Orbanit dhe i etiketonte ata si “agjentë të huaj”.
Marrë nga Deutsche Welle