Një krizë e momentit të fundit po vonon miratimin e marrëveshjes së shumëpritur për ndalimin e luftimeve në Rripin e Gazës e lirimin e dhjetëra pengjeve.
Netanyahu e akuzoi grupin palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE se po shkel pjesë të marrëveshjes në përpjekje për të fituar më shumë koncesione.
Një zyrtar i lartë i Hamasit, Izzat al-Rashq -insistoi se grupi militant është “i përkushtuar ndaj marrëveshjes për armëpushim, vulosja e së cilës u konfirmua edhe nga vetë presidenti amerikan Joe Biden.
Shumë palestinezë e të afërm të pengjeve izraelite kishin shpërthyer në festime pas lajmit të shumëpritur të armëpushimit që fillimisht parashikohej të zgjaste 6 javë. Luftimet ne terren megjithatë vazhduan, e orët që pasuan shpalljen e marrëveshjes sollën një bilanc dramatik viktimash, me 73 palestinezë të vrarë, mes tyre 20 fëmijë e 25 gra.
Megjithatë gëzimin dhe shpresën që ai ka ngjallur megjithatë, ekspertët pohuan se një pushimzjarri i qëndrueshëm dhe rindërtimi i Rripit të Gazës mbeten sfida të mëdha, e këtu hijet e dyshimit i shton akoma edhe më shumë një postim i editorialistit të Haaretz, Alon Pinkas, sipas të cilit, kryeministri Benjamin Netanyahu u ka pëshpëritur aleatëve të tij, duke u thënë: Mos u shqetësoni, për çdo rast pushimzjarri nuk do të mbajë.
Marrëveshja e armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit parashikon pas lirimit fillimisht të të gjitha grave, të miturve deri në moshën 19 vjeç dhe burrave mbi 50 vjeç, të cilët mbahen peng nga Hamasi, të vazhdojnë negociatat për fazën e dytë të armëpushimit.
Këto negociata planifikohet të fillojnë në ditën e 16-të të fazës së parë dhe pritet të pasohen nga lirimi i të gjithë pengjeve të mbetur, përfshirë edhe ushtarët izraelitë.
Gjithashtu pritet të arrihet marrëveshje për një armëpushim të përhershëm dhe për tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Rripi i Gazës.
Marrë nga Top Channel