Seanca e fundit plenare para zgjedhjeve parlamentare të 11 majit ka përfunduar. Seanca nisi pas orës 10 dhe në rend dite u diskutuan 25 pika.
Një ndër pikat ishte edhe përzgjedhja dhe votimi i anëtarëve të Këshillit Drejtues të RTSH-së me 10 kandidaturat që u kaluan javën e kaluar nga Komisioni i mediave pas dëgjesës së mbajtur, si dhe përzgjedhja e kryetarit të Këshillit.
Në nisje të seancës Kreu i grupit parlamentar të PS Niko Peleshi gjatë fjalës së tij në Kuvend shpjegoi se përse Partia Socialiste nuk pranoi që të votoj ‘pro’, kërkesës së PD-së për përfshirjen në rend dite të zgjedhjes së Avokatit të Popullit.
Deputeti i Partisë së Lirisë Petrit Vasili, tha sot në Kuvend se procesi i zgjedhjes së Avokatit të Popullit ka hyrë në një ngërç, pasi u bënë 3 vite që nuk bihet në konsesnus.
Ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj ka prezantuar sot në Kuvend projektligjin për ngritjen e Bankës Shqiptare të Zhvillimit. Ibrahimaj tha se qëllimi kryesor i bankës do të jetë nxitja e zhvillimit ekonomik të vendit.
Deputeti Demokrat Bujar Leskaj u shpreh sot në Kuvend kundër projektligji për Bankën Shqiptare të Zhvillimit. Ai tha se ishte kundër mënyrës se si po ngrihej Banka Shqiptare e Zhvillimit si shoqëri aksionere me 51% të aksioneve të shtetit, pasi sipas tij paraqet rreziqe ekonomike për të ardhmen, sikurse ka ndodhur me 3 eksperienca të mëparshme dhe, sipas tij, do i rëndojë buxhetit të shtetit apo taksapaguesve.
Ministrja e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi, foli sot në Kuvend për ndryshimet ligjore të propozuara nga qeveria në ligjin për “Rininë”. Muzhaqi tha se ky hap ligjor synon të përafrojë legjislacionin shqiptar me rregulloret evropiane, duke krijuar një kornizë më të qartë për politikat rinore dhe duke ofruar mundësi të reja për zhvillimin profesional të të rinjve. Ajo theksoi se programi synon të ndihmojë të rinjtë të integrohen më lehtë në tregun e punës
Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho kundërshtoi ligjin për Rininë ndërsa u shpreh se ligji ka efekte preferenciale dhe financiare dhe u shërben vetëm disa të rinjve, jo të gjithëve. Xhixho shtoi ndër të tjera se sipas saj të rinjve shqiptarë nuk u duhen këshilla që kthehen në shtojca të partisë në pushtet, por u duhen mundësi reale që nisin që nga arsimimi dinjitoz, mundësitë e punësimit dhe karrierës dhe kushtet për të ndërtuar të ardhmen e tyre në Shqipëri.
Kryeparlamentarja Elisa Spiropali foli nga foltorja e Kuvendit ku bëri një bilanc të punës së legjislaturës së fundit. Spiropali përmendi disa momente të cilat i cilësoi si arritje kyçe, përfshirë reformën zgjedhore që mundësoi votën e diasporës dhe marrëveshjet për njohjen e ndërsjellët të pensioneve me vende të huaja.
Kuvendi do të mblidhet më 20 maj, pas zgjedhjeve të përgjithshme që do të mbahen më 11 maj.
Marrë nga Dosja.al