Donald Trump dëshiron t’i jap fund luftës në Ukrainë në mënyrën e tij, thotë Timothy Less, të cilin duket se nuk e kanë befasuar aspak lëvizjet e fundit të presidentit amerikan. Marrëveshja, thotë ai, bazohet në një “vlerësim brutalisht realist të balancës së fuqisë në terren” dhe “qëllimit strategjik të SHBA-së për ta thyer boshtin Kinezo-Rus”.
Ish-diplomati britanik mendon se Trump i sheh europianët të parëndësishëm për ta zgjidhur këtë çështje, dhe madje edhe si pengesë që mund ta rrezikonte çdo shans për një marrëveshje që do të ishte e pranueshme për Rusinë.
Presidenti amerikan udhëhiqet nga logjika që “vepron në bazë të botës ashtu siç është, jo sipas botës siç do të donte të ishte”, i tha Less Gazetës Express në një intervistë me shkrim. Zhvillimet e fundit rreth Ukrainës, ai thotë se kanë treguar se “SHBA-ja pranon ndryshime kufijsh nëse kjo ndihmon për ta zgjidhur një problem”.
“E gjithë kjo ka relevancë të drejtpërdrejtë me Ballkanin ku logjika e pozicionit të Trumpit në Ukrainë çon në ndarjen e Kosovës si zgjidhje e përhershme për statusin e saj të pazgjidhur, ndoshta e shoqëruar me shkëputjen e Luginës së Preshevës nga Serbia. Kjo gjithashtu tregon për një zgjidhje të re politike në Bosnjë, që përfshin ose autonomi më të madhe për Republika Srpska-n, ose pavarësinë dhe bashkimin e saj me Serbinë”, thotë ai.
“Pra, unë shoh se gjërat do të zhvillohen në Ballkan ashtu si në Ukrainë – europianët si MB dhe Gjermania do të flasin ashpër, do t’i ekspozojnë parimet e tyre dhe do të kërkojnë që gjërat të zgjidhen sipas konceptit të tyre të moralit dhe ligjit. Por në praktikë europianët do të bëjnë pak për t’i zbatuar qëndrimet e tyre, duke e lënë SHBA-në ta zgjidhë çështjen e Kosovës ashtu siç dëshiron”.
Less thotë se Richard Grenell, i dërguari i Trump për misione speciale, tashmë po i hedh bazat për një zgjidhje të bazuar në “ndarje për njohje”.
Marrë nga Gazetaexpress.com