Nga Jonila Godole
Në Serbi, prej një jave të rinjtë kanë nisur një marshim drejt Brukselit. Kanë muaj që janë në rrugë, protestojnë kundër dhunës, kundër një sistemi që nuk i përfaqëson më. “Korrupsioni vret!” – thonë. Dhe nuk ndalen.
Ndërkohë në Shqipëri, në prag të zgjedhjeve, të rinjtë nuk protestojnë, por mbushin sallat e partive. Duartrokasin dhe bëjnë selfie me të njëjtët politikanë që u kanë premtuar të njëjtat gjëra prej 30 vjetësh: punë, reforma, integrim.
Kush nuk pajtohet me këtë sistem, ikën. Kush rri, mëson të mos bëjë zhurmë.
Shqipëria nuk është më vendi i shpresës kolektive. Është kthyer në një treg të vogël për përfitime të vogla. Një vend ku protesta quhet naivitet. Dhe askush nuk do të duket naiv.
Ndaj mungesa e protestës nuk është shenjë stabiliteti, është shenjë dorëzimi. E një shoqërie që nuk beson më se, zëri i saj sjell ndryshim. Dhe një shoqëri që nuk proteston, është një shoqëri që ka pranuar humbjen.
Marrë nga Top Channel