Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese tre aktet e qeverisë, të cilat sipas opozitës kufizojnë të drejtën e qytetarëve për të protestuar. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, deklaroi se qeveria po përdor rendin publik si justifikim për të kufizuar një të drejtë themelore kushtetuese, ndërsa akuzoi Policinë për tejkalim të kompetencave. Sipas tij, aktet e kundërshtuara krijojnë mekanizma që mund të frikësojnë qytetarët përmes ndalimeve, gjobave dhe kufizimeve që ai i cilësoi arbitrare.
“Qeveria po përdor rendin publik si alibi për të kufizuar të drejtën kushtetuese të qytetarëve për të protestuar. Policia nuk mund të jetë njëkohësisht polici, prokurori dhe gjykatë. Ajo nuk mund të marrë kompetenca që Kushtetuta ia rezervon pushtetit gjyqësor. Qeveria po krijon mekanizma për të frikësuar qytetarët që protestojnë, duke i ekspozuar ndaj ndalimeve, gjobave dhe kufizimeve arbitrare. Kritika ndaj qeverisë dhe thirrja për protestë nuk mund të trajtohen si nxitje e dhunës. Liria e shprehjes nuk mund të vihet nën kontrollin e Policisë”, deklaroi kreu i grupit parlamentar të PD-së.
Bardhi theksoi gjithashtu se përgjegjësia për çdo shkelje duhet të jetë individuale dhe se organizatorët nuk mund të ndëshkohen për veprime që nuk i kanë kryer apo nxitur.
Krahas ankimit në Gjykatën Kushtetuese, Partia Demokratike ka kërkuar edhe thirrjen në Komisionin për të Drejtat e Njeriut të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Skënder Hitaj, për të dhënë shpjegime lidhur me trajtimin e protestuesve. Ai u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë të reagojnë, duke theksuar se protesta paqësore duhet të garantohet dhe mbrohet.
Marrë nga RTSH.al