Edhe pse ligji për Reformën Territoriale 0.2 u miratua në Parlament dhe mund të shfuqizohet vetëm me vendim të Gjykatës Kushtetuese, PD ka vijuar me hartimin e draftit të saj për këtë reformë.
Materiali gjithashtu u është dërguar edhe Gjykatës së Lartë, KQZ etj.
Sipas PD, nisma zyrtare për konsultimet nisi me shkresën Nr. 3573 të Parlamentit, të datës 31 korrik 2026. Bashkitë përkatëse (si p.sh. Bashkia Cërrik apo Lushnje) e protokolluan atë në fillim të gushtit dhe njoftuan zyrtarisht një afat konsultimi prej 60 ditësh, i cili ligjërisht duhet të zgjaste deri më 30 shtator 2026.
Pavarësisht se ligji dhe njoftimet e vetë bashkive specifikojnë që ky proces zgjat deri në fund të shtatorit, Partia Socialiste e përfshiu projektligjin në kalendarin e punimeve të Kuvendit që në mes të shtatorit, thuhet në shkresën e PD.
Partia Demokratike shton se sipas Ligjit Nr. 146/2014 “Për Njoftimin dhe Konsultimin Publik”, organet ligjvënëse janë të detyruara të lejojnë kohë të mjaftueshme për shqyrtimin e nismave, të mbledhin të gjitha rekomandimet, dhe t’u kthejnë përgjigje të argumentuar komuniteteve për pikat që pranohen ose refuzohen.
Duke caktuar votimin në parim në Komisionin e Ligjeve për datën 29 shtator dhe votimin final në seancë plenare për datën 8 tetor, mazhoranca e kthen procesin e konsultimit në një formalitet.
Marrë nga Top Channel