Mali i Zi është vendi më i avancuar i Ballkanit Perëndimor në rrugën drejt anëtarësimit në BE, por përpara tij qëndrojnë disa mosmarrëveshje me Kroacinë. Nga kufiri detar te pasojat e luftërave të viteve ’90, Zagrebi kërkon zgjidhjen e çështjeve të mbetura pezull, ndërsa Podgorica shpreson se presioni i vendeve të mëdha të BE-së do ta pengojë Kroacinë të përdorë veton…
Mosmarrëveshjet janë të shumta: nga personat e zhdukur dhe dëmshpërblimet e luftës te pronësia e anijes së trajnimit “Jadran”, nga një pllakë përkujtimore në ish-kampin e Morinjit te emri i një pishine në Kotor.
Megjithatë, problemi më i ndërlikuar dhe potencialisht më i rrezikshëm mbetet përcaktimi i kufirit mes dy vendeve. Mali i Zi është aktualisht në krye të garës për anëtarësimin në BE dhe synon të përfundojë procesin, ndoshta deri në vitin 2028.
Por një muaj më parë Zagrebi i dërgoi Podgoricës një sinjal të fortë përmes një letre, ku theksonte se Brukseli “nuk mund dhe nuk dëshiron të importojë mosmarrëveshje dypalëshe” dhe se çështjet e hapura duhet të zgjidhen urgjentisht, në mënyrë që të mos rëndojnë marrëdhëniet mes dy vendeve apo vetë procesin e anëtarësimit.
Mesazhi është i rëndësishëm sepse vendimet kryesore në procesin e zgjerimit të BE-së kërkojnë unanimitetin e 27 vendeve anëtare. Në praktikë, kjo i jep Kroacisë mundësinë të bllokojë përparimin e Malit të Zi, ashtu siç Bullgaria ka bërë në të kaluarën me Maqedoninë e Veriut.
Zagrebi mund ta shohë këtë si një levë presioni për të zgjidhur çështjet e mbetura në favorin e tij. Ndërkohë në Podgoricë, duket se mbizotëron një tjetër strategji: pritja që, kur momenti i vendimit përfundimtar të afrohet, presioni i vendeve të mëdha të BE-së mbi Kroacinë të bëhet aq i fortë sa Zagrebi të mos ketë më hapësirë për ta bllokuar procesin.
Kërkesat e Zagrebit lidhen kryesisht me trashëgiminë e luftërave që shoqëruan shpërbërjen e Jugosllavisë. Kroacia kërkon që Mali i Zi të paguajë dëmshpërblime për kroatët etnikë të mbajtur në paraburgim në territorin e tij gjatë luftërave të viteve ’90.
Zagrebi kërkon gjithashtu më shumë përpjekje për gjetjen e 14 shtetasve kroatë që ende rezultojnë të zhdukur dhe angazhim më serioz në ndëshkimin e krimeve të luftës. Një çështje tjetër është pllaka përkujtimore në ish-kampin e të burgosurve të luftës në Morinj.
Kroacia kërkon që ajo të mbrohet, ndërsa kërkon gjithashtu ndryshimin e emrit të pishinës në Kotor që mban emrin e Zoran “Xhimi” Gopçeviç, ish-lojtarit të vaterpolit, për të cilin Zagrebi pretendon se ka shërbyer edhe si gardian në kampin e Morinjit.
Në listën e kërkesave është edhe anija e trajnimit “Jadran”, një nga simbolet më të ndjeshme të kësaj mosmarrëveshjeje. Anija u ndërtua në vitin 1931 për marinën e Mbretërisë së Jugosllavisë. Ajo u projektua nga një kroat, u ndërtua në Hamburg me kërkesë të një grupi intelektualësh nga Spliti dhe u regjistrua në Split.
Kur Jugosllavia u shpërbë, “Jadrani” ndodhej në Malin e Zi për riparime dhe aty ka mbetur deri më sot, tashmë pjesë e marinës malazeze. Kroacia e konsideron anijen pronë të saj dhe kërkon kthimin. Sipas disa burimeve, është diskutuar një kompromis që “Jadrani” të lundrojë nën flamurin kroat, por t’i jepet herë pas here Malit të Zi për trajnimin e kadetëve të marinës.
Kjo ide ka shkaktuar reagime në Malin e Zi. Një OJQ e krahut të djathtë, e afërt me disa elementë të Kishës Ortodokse Serbe, ka nisur një peticion në Herceg Novi për të kërkuar që anija të mbetet nën pronësinë malazeze.
Kryetari i bashkisë së qytetit, Stevan Katiç, e ka mbështetur peticionin, duke e cilësuar “Jadranin” si pjesë të pandashme të pasurisë ushtarake të Malit të Zi. Nga ana e saj, Podgorica, ka një kërkesë ndaj Kroacisë: hetimin e vdekjes së 14 ushtarëve jugosllavë në Split.
Megjithatë, sipas analistit kroat Davor Gjenero, këto çështje nuk përbëjnë domosdoshmërisht pengesa të pakapërcyeshme. “Mua më duket se nuk ka probleme të mëdha dhe unë jam optimist. Nuk do të ishte në interesin e asnjërës palë që Kroacia të bllokonte anëtarësimin e Malit të Zi”, argumenton ai.
Kufiri, pika më e nxehtë
Nëse çështjet e trashëguara nga lufta mund të zgjidhen përmes negociatave dhe kompromiseve, kufiri është shumë më i ndërlikuar. Një burim në Ministrinë e Jashtme të Malit të Zi, që foli në kushte anonimiteti, e cilësoi çështjen si “shumë komplekse”.
Ai kujtoi se marrëveshja e përkohshme për kufirin detar, e arritur në vitin 2002, vazhdon të zbatohet edhe sot, por neni i dytë i saj përcakton se çështja nuk konsiderohet e zgjidhur përfundimisht derisa të dyja palët të arrijnë një marrëveshje.
Podgorica duket e vetëdijshme se kjo është pika ku Kroacia mund të ushtrojë presionin më të madh. “Është e rëndësishme që Mali i Zi të mos e zemërojë Kroacinë me veprimet e tij dhe të mos lejojë askënd të rrezikojë rrugën tashmë të sigurt drejt BE-së”, tha burimi.
Analisti politik nga Podgorica, Stefan Gjukiç, mendon se demarkacioni mund të lihet qëllimisht për në fund të procesit. “Demarkacioni është i vetmi problem real nëse flasim për anëtarësimin në BE”, tha ai. Sipas tij, çështja mund të mbetet pezull deri në fazat e fundit, kur vendet më të mëdha të BE-së të vendosin se si do të procedohet.
A mund të përsëritet precedenti i Sllovenisë?
Gjukiç sheh një precedent të mundshëm te marrëdhëniet mes Kroacisë dhe Sllovenisë. Dy vendet kanë pasur për vite me radhë një mosmarrëveshje për kufirin detar, e cila në praktikë nuk u zgjidh përpara anëtarësimit të Kroacisë në BE në vitin 2013.
Edhe sot mosmarrëveshja nuk është zgjidhur plotësisht. Sllovenia gëzon të drejtën e kalimit të lirë, ndërsa Kroacia vazhdon të kundërshtojë pretendimin e fqinjit të saj për dalje në ujërat territoriale ndërkombëtare.
“E njëjta gjë mund të ndodhë edhe me ne”, thotë Gjukiç. Sipas tij, në çështjet e kufirit një kompromis real shpesh nuk është ai ku njëra palë fiton dhe tjetra humbet, por ai ku të dyja palët bëjnë lëshime dhe asnjëra nuk del plotësisht e kënaqur.
“Rezultati i vetëm i drejtë, është ai kur të gjithë mbeten të pakënaqura”, shprehet ai. Edhe Ministria e Jashtme e Malit të Zi e pranon se kufiri mbetet i pazgjidhur. Podgorica thotë se po kërkon një kompromis që të mos rrezikojë rrugën e vendit drejt BE-së dhe këmbëngul se nuk do t’u qaset këtyre çështjeve përmes lëshimeve të njëanshme.
Ministria e Jashtme e Kroacisë nuk iu përgjigj kërkesave të përsëritura për koment.
Përtej kufirit, edhe një betejë politike
Për Zagrebin, anëtarësimi i Malit të Zi në BE nuk është domosdoshmërisht një problem. Përkundrazi, Gjukiç argumenton se kjo është edhe në interesin e Kroacisë. Por, sipas tij, Zagrebi ka një interes tjetër strategjik: të forcojë orientimin sovran të Malit të Zi dhe të dobësojë ndikimin e forcave që mbështesin një afrim më të madh me Serbinë.
Kjo lidhet drejtpërdrejt me ndarjet politike brenda Malit të Zi, ku disa prej forcave të konsideruara “pro-serbe” janë aktualisht pjesë e pushtetit. Pikërisht kjo përçarje mund ta bëjë Podgoricën më të dobët në negociatat me Zagrebin.
“Ndryshe nga Kroacia, ku opozita ose nuk komenton, ose mbështet qëndrimin e qeverisë për këtë çështje, në Malin e Zi dëgjon qëndrime të ndryshme, në varësi të asaj se kush është në pushtet dhe çfarë pozicioni mban”, thotë Gjukiç. Dhe ky mund të jetë një nga avantazhet më të mëdha të Kroacisë: të negociojë me një fqinj që nuk flet gjithmonë me një zë.
Në fund, dilema e Malit të Zi është e qartë. Podgorica nuk dëshiron të hapë një konflikt të ri me Kroacinë në një moment kur anëtarësimi në BE duket më pranë se kurrë. Ndërkohë Zagrebi, e di se ka në dorë një instrument të fuqishëm presioni dhe kërkon ta përdorë për të zgjidhur çështje që i ka lënë pezull historia.
Pyetja nuk është më nëse Mali i Zi do të hyjë në BE, por sa do t’i kushtojë rruga deri atje dhe nëse kufiri me Kroacinë do të zgjidhet përpara anëtarësimit apo do të bëhet një tjetër problem që Brukseli do ta shtyjë për më vonë.
Marrë nga Balkan Insight