Pas rritjes së lartë të çmimeve të naftës dhe benzinës qeveria miraton vendimin për ringritjen e Bordit të Transparencës së karburanteve.
Në një dalje për mediat pas përfundimit të mbledhjes së këshillit të Ministrave, Delina Ibrahimaj tha se arsyeja e ringritjes së bordit është me qëllim aktivizimin e masës për uljen e akcizës.
Për shkak të rritjes së çmimeve, më 3 prill qeveria miratoi Akti Normativ për uljen e akcizës me 20% nëse çmimi i naftës me pakicë kalonte nivelin 220 lekë për litër dhe benzina 200 lekë për litër.
Por Ministria e Financave shpjegoi më herët për Monitor se vendimmarrja për aplikimin e uljes së akcizës lidhej me funksionimin dhe vendimin e Bordit. Pas stabilizimit të çmimeve prej disa javësh Bordi i Transparencës nuk funksionon.
“Është marrë vendimi për ringritjen e Bordit të Transparencës, i cili do të monitorojë çmimet e karburanteve. Tregu do të vijojë të mbahet nën monitorim dhe analizë, pa një afat të përcaktuar për mbylljen e Bordit. Vendimi për ringritjen e tij synon gjithashtu aktivizimin e uljes së akcizës për karburantet, në funksion të lehtësimit të çmimeve për konsumatorët”, deklaroi ministrja Ibrahimaj.
Marrë nga Syri.net