Lëvizja Vetëvendosje ka dërguar një ankesë në Panelin për Ankesa dhe Parashtresa, duke kërkuar anulimin e rezultateve të votimit me postë në zgjedhjet e parlamentare.
Në ankesën e saj, ajo shprehet se në fletëvotimet e ardhura me postë ka pasur manipulime ku ka cënuar të drejtën e votës së qytetarëve.
LVV-ja kërkon nga Paneli urdhërimin ndaj Komisionit Qendror Zgjedhor, për përsëritjen e procesit të votimit për të garantuar një zgjedhje të drejtë dhe të pastër.
“Prandaj duke e dituar që në secilin fletëvotim të ardhur me postë ka pasur manipulime të tilla, është dëmtuar integriteti zgjedhor, është cenuar e drejta e votimit siç përcaktohet në Kushtetutë dhe Ligj, prandaj në bazë të nenit 120 të LZP-së, paragrafi 1 nënparagrafi 1.2, ndërlidhur me nenet 101 dhe 106 të LZP-së, kërkojmë nga PZAP që të ANULOJË rezultatet e votimit me postë dhe njëkohësisht ta URDHËROJË KQZ-në që të përsërisë votimin”, shkruhet nga LVV.
Kujtojmë se nga votat me postë, Lëvizja Vetëvendosje renditet e para, me 51.57 % të votave, ndërsa shoqërohet nga LDK me 30.55 %, e treta është PDK me 9.48 % dhe e katërta është AAK me 3.23 %.
Marrë nga Newsbomb.al