Ish-presidenti francez Nicolas Sarkozy do të dërgohet në burg të martën, pasi një gjykatë franceze i dha atij një dënim me pesë vjet burg për rastin e financimit të fushatës së tij zgjedhore të vitit 2007 nga regjimi i atëhershëm i Gadafit në Libi.
Sipas raportimeve të mediave franceze, qelia e Sarkozy-t, e cila nuk do të jetë në kontakt me të burgosurit e tjerë, do të jetë 11 metra katrorë, do të ketë një dritare dhe një televizor, por ish-presidenti francez nuk do të ketë të drejtë të përdorë telefon celular.
Kohëzgjatja e qëndrimit të tij në burg nuk është ende e qartë, por që nga momenti i burgosjes së tij ai ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për të vuajtur dënimin në shtëpi, duke mbajtur të ashtuquajturin byzylyk elektronik.
Megjithatë, është e qartë se Nicolas Sarkozy nuk do të jetë një i burgosur si të gjithë të tjerët. Ai u takua të premten me presidentin Emmanuel Macron, ndërkohë që ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, i cili është i afërt me partinë Republikane, deklaroi se ka ndërmend ta vizitojë atë në burg.
Në një intervistë për gazetën e së dielës La Tribune Dimanche, Sarkozy tha se do ta vuajë dënimin në Prison de la Santé, i vetmi burg që ndodhet brenda kufijve të qytetit të Parisit.
Ai do të bëhet kreu i parë francez i shtetit që futet pas hekurave që nga bashkëpunëtori nazist Philippe Pétain, i cili nënshkroi armëpushimin francez me Gjermaninë në vitin 1940. Trashëgimia e Pétain tani është e lidhur fort me bashkëpunimin dhe është një nga kapitujt më të errët në historinë franceze
Sarkozi e ka apeluar vendimin dhe ka deklaruar vazhdimisht pafajësinë e tij, por paneli prej tre gjyqtarësh që dëgjoi çështjen arriti në përfundimin se serioziteti i akuzave justifikonte burgosjen e menjëhershme të Sarkozisë, pavarësisht apelit të tij.
Apelimet në Francë zakonisht u lejojnë të pandehurve të shtyjnë çdo dënim derisa të përfundojë procesi i apelimit. Datat e apelimit caktohen gjithashtu në afate më të shkurtra për njerëzit që mbahen në paraburgim ndërsa presin gjyqin e tyre të ri.
Edhe pse ish-presidenti ka pasur disa probleme me ligjin që kur u largua nga detyra në vitin 2012, ai mbetet një figurë me ndikim në të djathtën franceze.
Marrë nga Le Figaro