Seanca e sotme ka nisur me debate. Deputeti Erion Braçe ka marrë fjalën në nisje të seancës dhe tha se kreu i KQZ, Ilirjan Celibashi i ka rekomanduar Kuvendit mosmiratimin e nismës së barazimit të taksës 20% në Bujqësi. Braçe tha se Celibashi as nuk e ka lexuar nismën dhe e bllokoi në mënyrë të padrejtë. Ai rekomandoi të ecet para me nismën, ndërsa debatoi edhe me deputeten demokrate, Dhurata Çupi, e cila kërkoi t’i pritej fjala.
Deputeti demokrat, Dashnor Sula gjatë fjalës së tij në nisje të seancës plenare në Kuvend ka akuzuar mazhorancën se po shkel Kodin Zgjedhor. Sula u shpreh se qëllimi i “Paketës së maleve” është tërësisht i lidhur me zgjedhjet e 11 majit.
Në seancë u zhvilluar edhe interpelanca e kërkuar nga deputeti demokrat, Asllan Dogjani me ministrin e Brendshëm, Ervin Hoxha. Gjatë fjalës së tij, Dogjani tha se një 17-vjeçare ka kryer vetëvrasje, pasi bullizohej në shkollë. Ai ka bërë përgjegjës qeverinë për vrasjen e saj, duke thënë se e vrau shteti pasi e la të varfër.
Dogjani gjatë fjalës së tij lidhur me vrasjet e ndodhura deri tani për kët vit ngatërroi emrat e viktimave me emra politikanësh. Ai ngatërroi emrin e biznesmenit Bujar Nasufi, të vrarë më 12 janar me emrin e deputetit socialist, Fadil Nasufi. Më pas ngatërroi dhe emrin e Lulzim Vishës të vrarë më 24 janar me emrin e deputetit Lulzim Basha. Për këtë të fundit, Dogjani tha se e bëri për humor.
Ministri Hoxha iu përgjigj Dogjanit duke u shprehur se nuk mund të bëjnë politikë me drama familjare dhe jetë njerëzish. Hoxha tha se nuk mund të baltoset puna e mijëra punonjësve të Policisë së Shtetit. Ministri shtoi se ka rënie progresive të numrit të vrasjeve nga viti në vit. Ai tha se progresi po shënon rekord historik.
Marrë nga Dosja.al