Shtetet e Bashkuara i kanë hequr nga lista e sanksioneve ish-liderin e serbëve të Bosnjës, Millorad Dodikun, si dhe anëtaren e Presidencës së Bosnjës, Zhelka Cvijanoviç, njoftoi Departamenti i Thesarit të mërkurën.
Dodik, presidenti i Aleancës së Social Demokratëve të Pavarur, ishte sanksionuar dy herë për shkak shkeljes së Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe.
Javë më parë, OFAC hoqi nga lista e sanksioneve katër individë nga entiteti serb i Bosnjës, Republika Sërpska, të cilët ishin përfshirë në organizimin e festimeve të ditës antikushtetuese të 9 janarit.
Bëhet fjalë për sanksione për Danijela Dragiçeviç, Jelena Pajiç Bastinac, Dijana Millankoviç dhe Goran Rakoviç.
Në dhjetor të vitit të kaluar, autoritetet e Republikës Sërpska nënshkruan një kontratë me firmën ligjore amerikane “Zell & Associates International Advocates” për të lobuar që SHBA-ja t’i heqë sanksionet kundër Millorad Dodikut dhe Zheljka Cvijanoviçit, të promovojnë dialogun midis administratës së Republikës Sërpska dhe Donald Trumpit, si dhe të rishikojnë Marrëveshjen e Dejtonit dhe rolin e Përfaqësuesit të Lartë në Bosnje.
Sipas dokumentit të regjistrimit në të cilin ka pasur qasje Radio Evropa e Lirë (RFE), firma ligjore do t’i arrijë këto qëllime në SHBA nëpërmjet komunikimit me përfaqësuesit e autoriteteve lokale ekzekutive dhe legjislative, si dhe sektorin joqeveritar.
Deri më tani, kontratat e Republikës Sërpska me firma lobimi dhe avokatie në SHBA kanë të bëjnë kryesisht me promovimin e investimeve dhe këshillat ligjore, dhe këto shërbime kanë kushtuar dhjetëra mijëra dollarë në muaj.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë