Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka bërë kërkesë për marrjen e masës disiplinore “Përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare 60 ditë” ndaj deputetit dhe Kreut të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla. Sipas deklaratës, demokratët e akuzojnë Ballën për përdorim të gjuhës fyese, seksiste dhe diskriminuese ndaj deputetes Albana Vokshi.
Incidenti ka ndodhur gjatë sencës plenarë në Kuvend një ditë më parë. “0900, për ty Albana kam këtë numër”, ishte kjo fjali që drejtoi Balla deputetes së PD-së, duke përshkallëzuar më tej tensionet në sallë.
NJOFTIMI
Në datën 05.03.2026, ora 10:00 është zhvilluar seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë. Gjatë fjalës së tij, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Taulant Balla është shprehur: “Thamë t’ju pyesim ju njëherë, po s’kishim kohë. Realisht, realisht, realisht, realisht nuk kishim një numër telefonin tuajin që t’ju merrnim në telefon dhe t’ju thonim ore si mendoni ju për këtë. Po, 0900 se për ty kam këtë numrin, për ty Albana padyshim. Dhe pa pyetur për strukturat vendore, pa pyetur edhe për këtë padyshim. Edhe se kishim këtë mundësi. Se kishim këtë mundësi.”. Kjo gjuhë fyese, ofenduese, seksiste dhe diskriminuese ka sjellë reagimin e menjëhershëm të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe, në kushtet e marrjes së masave nga kryetari i Kuvendit, edhe ndërprerjen e seancës plenare.
Neni 62 i Rregullores ka përcaktuar se: “1. Deputeti gjatë ushtrimit të mandatit respekton rregullat bazë për standardet e sjelljes, të parashikuara në këtë Rregullore dhe në Kodin e Sjelljes së Deputetit. 2. Rregullat e përcaktuara në këtë kre dhe masat disiplinore zbatohen për shkeljen e Rregullores dhe të Kodit të Sjelljes së Deputetëve.”. Ndërsa, neni 63 i Rregullores ka parashikuar masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetit, ndër të cilat, edhe “d) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe/ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.”.
Rregullorja e Kuvendit ka referuar në mënyrë të përsëritur tek Kodi i Sjelljes së Deputetit, miratuar me vendimin nr. 61/2018 të Kuvendit të Shqipërisë, i cili në nenin 3 ka parashikuar se: “Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, duhet: ë) të jetë model për zgjedhësit dhe të sillet në mënyrë që të nxisë zbatimin e standardeve më të larta të sjelljes edhe për të rinjtë që përfshihen në politikë;”. Ndërsa, neni 5 i Kodit parashikon: “1. Deputeti, gjatë ushtrimit të mandatit, shfaq standardet më të larta të sjelljes së qytetëruar, dinjitoze dhe të etikës parlamentare korrekte”.
Marrë nga Zëri.al